Vetëm pak ditë pasi Komisioni Evropian konfirmoi gatishmërinë e tij që Shqipëria të përmbyllë deri në fund të këtij viti gjashtë kapituj të bisedimeve të anëtarësimit, Tirana zyrtare ka avancuar një tjetër hap drejt tyre.
Tre kapituj janë përfshirë në agjendën e grupit të punës për zgjerimin, COELA, në Këshillin e Bashkimit Evropian, ku shqyrtohen projekt-qëndrimet e përbashkëta të vendeve anëtare.
Televizioni Publik pa dokumentacionin e procesverbalit të mbledhjes, ku bëhet fjalë për kapitullin 6 për të drejtën e shoqërive tregtare, kapitullin 7 për pronësinë intelektuale dhe kapitullin 13 për peshkimin dhe akuakulturën.
Dokumenti i Këshillit, i datës 12 nëntor, parashikon diskutimin e tre kapitujve në mbledhjen e 13 nëntorit. Ky është një hap procedural në procesin e shqyrtimit nga vendet anëtare, duke sinjalizuar plotësimin e procedurave për mbylljen e tyre.
Pas diskutimeve në COELA, kryesisht përmes ambasadorëve të vendeve anëtare, procesi duhet të avancojë në strukturat e tjera të Këshillit, përpara se mbyllja e përkohshme të konfirmohet në konferencën ndërqeveritare.
Lëvizja vjen në kuadër të përgatitjeve për përmbushjen e kalendarit të Komisionit Evropian, i cili parashikon mbylljen e gjashtë kapitujve deri në fund të vitit 2026. Krahas tre kapitujve në diskutim, në këtë listë janë edhe politika ekonomike dhe monetare, rrjetet transeuropiane dhe politika e jashtme dhe e sigurisë.
Kryenegociatorja Majlinda Dhukaj i konfirmoi hapat e Shqipërisë në komisionin parlamentar, përkatësisht për pesë kapitujt: shoqëritë tregtare, pronësinë intelektuale, rrjetet transeuropiane, peshkimin dhe politikën ekonomike e monetare.
Pas mbylljes së katër kapitujve të parë, nëse deri në fund të vitit arrihen edhe gjashtë kapituj të tjerë, bilanci do të përputhet me objektivin shqiptar dhe evropian për 10 kapituj.
Por propozimi i mbylljes së tyre, pas shqyrtimit, duhet të arrijë njëzëri në Këshillin Evropian, pasi Komisioni Evropian të ketë siguruar përmbushjen e kritereve të mbylljes dhe verifikimin e tyre nga Shqipëria. Për Shqipërinë, sfida tashmë është që përgatitjet teknike të përkthehen në vendime konkrete të vendeve anëtare. /RTSH










