Këtë rrugë të fshatit Vitomiricë në Pejë, mbrëmjen e së dielës, Arlinda Zekaj e përshkoi nën përcjellje policore.
Mirëpo, vetëm pak minuta pasi hyri në shtëpi, Zekaj u godit për vdekje me sëpatë.
E i dyshuari për këtë vrasje, është nga kunati i saj, Albert Sylaj.
Por, si erdhi deri tek rasti tragjik?
Fillimisht, mbrëmjen e së dielës rreth orës 19:00, e ndjera e raportoi në Polici ish bashkëshortin e saj, Jeton Sylaj, për dhunë në familje.
Sylaj u arrestua dhe me vendim të prokurorit u dërgua në mbajtje për 48 orë.
Sipas Prokurorisë Themelore të Pejës, të ndjerës iu referua që të shkonte në strehimore, për shkak të sigurisë.
Mirëpo, sipas zëdhënësit të Prokurorisë, Shkodran Nikçi, Zekaj e refuzoi këtë mundësi, pasi nuk dëshironte të qëndronte edhe më tej larg djalit të saj.
“Kur thotë se i kemi thane më shku në strehimore, por ajo ka refuzu, edhe rrjedhimisht ajo u percjellë për në shtëpu ku ka ndodhë krimi”, deklaroi Shkodran Nikçi.
Ky është versioni zyrtar i Prokurorisë së Pejës. Megjithatë, e gjithë ngjarja ka një histori të gjatë.
Arlinda Zekaj me Jeton Sylajn, kishin jetuar për një dekadë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Si prindër të një fëmije, ata u kthyen më pas në Kosovë, për të jetuar në Vitomiricë të Pejës.
Që prej rikthimit në Kosovë, në vazhdimësi, Arlinda Zekaj kishte raportuar në organet e rendit për dhunë në familje, kanosje dhe pengim për ta parë djalin e saj.
Mirëpo, vetëm tek më 16 tetor të këtij viti, Gjykata Themelore e Pejës vendosi një urdhër mbrojtës ndaj saj.
Bashkëshortit, Jetoj Sylajt, iu ndalua që t’i afrohej Zekajt më shumë se dy metra, ndonëse çifti jetonte në shtëpinë e njëjtë.
Gjithashtu, Gjykata ia besoi përkohësisht Arlinda Zekajt përkujdesjen ndaj djalit.
Mirëpo, siç duket, ky vendim gjyqësor nuk u zbatua asnjëherë.
Në rëndimin e gjendjes emocionale të Zekajt, u përfshinë edhe familjarë të bashkëshortit, të cilët nisën të qëndronin në shtëpinë e përbashkët të çiftit.
Dhuna dhe presioni ndaj Zekajt, duket se vetëm u shtua.
Kështu, ajo iu drejtua me një letër kryeprokurores së Prokurorisë Themelore të Pejës, Lumturije Vuçetaj.
Në letër, tashmë e ndjera e bëri të qartë se ndihej e kërcënuar se do të vritej.
“Uroj që të mos vijë dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse të detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime. Tani e kuptoj pse ndodhin vrasjet. Gruaja me ligj në dorë po e vritka gruan – jo burri. E dhimbshme deri në asht!”, shkruhet në letër.
Ajo kërkoi që të ndërmerren masa ndaj zyrtarëve që nuk po zbatonin urdhërat.
“Kërkoj urgjentisht marrjen e masave ndaj të gjithë zyrtarëve që kanë dështuar rëndë në kryerjen e detyrave të tyre, duke bartur përgjegjësitë te njëri tjetri, duke lejuar që pasojat dhe rreziku për jetën time të vazhdojnë. Kërkoj ekzekutimin e menjëhershëm të urdhërit gjyqësor dhe hapjen e hetimeve ndaj gjithë zyrtarëve të përfshirë, duke filluar nga QPS-ja.”
Përkundër letrës, Prokuroria Themelore e Pejës insiston se u vunë menjëherë në lëvizja pas ankesës së Zekajt.
“Kur thotë se kanë fillu hetimet edhe tregon cka ka ndërmarrë kryeprokurorja”, tha Nikçi.
Prokuroria po ashtu njoftoi se ndaj Jeton Sylajt, ngriti aktakuzë dy ditë para se të ndodhte vrasja.
Nikçi thotë se janë inicuar edhe hetime ndaj zyrtarëve të përmendur në parashtresën e Arlinda Zekajt.
Kurse dorasi i dyshuar Albert Sylaj ndodhet ende në arrati.
Për lokalizimin e tij, Policia e Kosovës ka kërkuar ndihmën e qytetarëve.
Televizioni ka provuar gjatë gjithë ditës që të marrë një qëndrim nga Qendra për Punë Sociale në Pejë, mirëpo ata nuk janë përgjigjur.
TËVË1 ka qëndruar edhe në zyret e Qendrës. Zyrtarët kanë deklaruar se drejtoresha nuk është prezente, dhe se ata nuk mund të deklarohen për rastin.






