Edhe 209 rekrutë të rinj kanë nisur stërvitjen ushtarake bazë në Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK). Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i cili ka theksuar se përmes rekrutimeve dhe trajnimeve të vazhdueshme po forcohen kapacitetet njerëzore të ushtrisë së Kosovës.
Sipas Maqedoncit, rekrutët kanë filluar stërvitjen në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes, ku do të përgatiten përmes zhvillimit të njohurive dhe shkathtësive të nevojshme ushtarake për t’i shërbyer vendit.
Ky zhvillim vjen vetëm pak ditë pasi 515 të rinj dhe të reja dhanë betimin solemn dhe iu bashkuan radhëve të FSK-së.
“Vetëm pak ditë pasi 515 të rinj dhe të reja dhanë betimin solemn dhe iu bashkuan radhëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, sot në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes, edhe 209 rekrutë të tjerë kanë filluar stërvitjen ushtarake bazë, gjatë së cilës do të zhvillojnë njohuritë dhe shkathtësitë e nevojshme ushtarake për t’i vënë në shërbim të mbrojtjes së vendit”, ka shkruar Maqedonci në Facebook.
Ministri ka theksuar se rekrutimi dhe përgatitja profesionale e pjesëtarëve të rinj krijojnë mundësi për zhvillimin e tyre dhe përfshirjen aktive në shërbim të sigurisë dhe mbrojtjes së Kosovës.
Ai ka bërë të ditur se investimet në personel po vazhdojnë paralelisht me investimet në armatim dhe pajisje moderne, duke vlerësuar se përgatitja profesionale e ushtarëve është thelbësore për ngritjen e kapaciteteve të FSK-së.
“Krahas investimeve në armatim dhe pajisje moderne, po vazhdojmë të investojmë edhe në përgatitjen e ushtarëve tanë, sepse personeli i mirëtrajnuar dhe profesional është themeli i një force të aftë dhe të gatshme për t’u përballur me sfidat e së ardhmes”, ka deklaruar Maqedonci.
Në fund, ministri u ka uruar suksese të gjithë rekrutëve të rinj në rrugëtimin e tyre ushtarak.




