Deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri, kritikoi qeverinë për përgjegjësinë që ka në garantimin e sigurisë së qytetarëve. Ai gjatë seancës së jashtëzakonshme për vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës.ngriti pyetjen nëse institucionet kishin dështuar në përmbushjen e detyrimeve të tyre, duke kërkuar veprime për zbardhjen dhe parandalimin e rasteve të vrasjeve të grave.
“Po e lidhi me mandatin e qeverisë që detyrën e parë prej të gjitha detyrave të tjera e ka sigurinë juridike të qytetarëve dhe sigurinë fizike të tyre. A ka dështuar në dy detyrat qeveria, ajo që po themi që ka ra shteti në rastin e të ndjerës. Nëse flasim për një vit, ku kanë mbërritur rastet tjera me u zbardhë apo cila është masa për tu parandaluar. Nuk mundesh me u distancua prej detyrës së sigurisë juridike dhe fizike që shteti e ka ndaj qytetarëve të vet. Kryeministri Kurti duhet me shfrytëzua këtë mundësi… Ne nuk jemi familje që vrasim gra. Shqiptarët e kanë të rregulluar familjen ku gruaja ka rol, ne jemi të lindur prej nënave, se ende ligji nuk lejon që ne të lindim nga burrat, tendencën që e ka qeveria me e prua edhe ata”, tha Haziri.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, reagoi ndaj diskutimit të deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri.
Haxhiu akuzoi përfaqësuesit e ish-qeverive se nuk kishin ndërmarrë veprime për luftimin e dhunës ndaj grave, duke theksuar se masat konkrete kishin filluar të ndërmerreshin nga viti 2021. Ajo kërkoi që foltorja e Kuvendit të mos përdoret për, siç i quajti, akuza të pabaza.
“Keni qeverisur herë vet e herë bashkë, kurrë asnjë veprim nuk keni ndërmarrë dhe kurrë asnjë kryeministër që ka folur për dhunën ndaj grave, për femicidin, asnjëherë. Për herë të parë kanë filluar të merren veprime në 2021. Kur jam bërë ministre e drejtësisë, kam pyetur cilat janë veprimet që janë ndërmarrë, asnjë. Nuk është në rregull që sot ta keqpërdorni këtë foltore të kuvendit me akuza të pabaza. Kryeministrat e kaluar dhe ministrat kanë menduar se nuk është punë e tyre të merren me dhunën ndaj grave, por është. E për shkak të mos veprimeve të juaja, ne sot përballemi me situata të tilla. Keni kujdes çka flisni”, tha Haxhiu.
Në këtë debat u përfshi edhe shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri, i cili kërkoi që diskutimi për vrasjen e Zekajt të mos shndërrohet në përplasje politike. Ai theksoi nevojën për përgjegjësi institucionale dhe kërkoi dorëheqjen e Gërvallës si akt moral.
“Minimumi çka duhet sot mos me u shndërrua në debat politik. Nuk është sot temë analizë statistikore kush ka bërë e kush jo. Shpejt e shikova se më detyrove, për 11 vite në vitin 2022 janë vra 47 gra, deri në 2026 janë vra 20 gra, nëse e përkthejmë në vite është shumë skandaloze. Është përgjegjësi institucionale, sot duhet reflektim, duhet të jep dorëheqje Gërvalla si akt moral”, tha Tahiri.







