Ambasada e Britanisë së Madhe në Prishtinë ka shprehur pikëllim të thellë për vrasjen e Arlinda Zekajt, e cila kishte kërkuar mbrojtje nga institucionet e Kosovës, pasi kishte frikë për jetën e saj për shkak të dhunës në familje. Ambasada ka bërë thirrje për veprime institucionale, llogaridhënie dhe koordinim më të mirë në mbrojtjen e grave që përballen me dhunë.
Në reagimin e saj, ambasada ka theksuar se asnjë grua që merr guximin të kërkojë ndihmë nuk duhet të mbetet pa mbrojtjen e nevojshme.
“Askush që ndërmerr hapin e guximshëm për të kërkuar ndihmë nuk duhet të mbetet pa mbrojtje”, thuhet në reagimin e Ambasadës britanike.
Ambasada ka nënvizuar se gratë që përballen me rrezikun e dhunës në familje duhet të kenë mbështetjen e institucioneve për të gjetur sigurinë e nevojshme, duke e cilësuar mbrojtjen e tyre si çështje themelore të sigurisë.
Sipas ambasadës, rasti i Arlinda Zekajt vë në pah nevojën për një reagim më efektiv institucional, ku të mbijetuarat e dhunës të jenë në qendër të trajtimit të rasteve dhe ku institucionet të bashkëpunojnë për të parandaluar tragjedi të tilla.
Në reagim është theksuar rëndësia e koordinimit ndërmjet institucioneve përgjegjëse, llogaridhënies dhe sigurimit të qasjes në drejtësi për viktimat e dhunës.
Ambasada britanike u ka shprehur ngushëllime familjarëve dhe të afërmve të Arlinda Zekajt, duke shprehur shpresën që drejtësia të vihet në vend.







