Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona në Prishtinë, të dyshuar për përfshirje në shit-blerje të paautorizuar të substancave narkotike, posedim të paautorizuar të armëve dhe manipulim me prova.
Sipas Policisë së Kosovës, operacioni është realizuar nga Sektori i Hetimeve të Kryeqytetit, në bashkëpunim me njësitë e tjera relevante.
“ Sektori i Hetimeve të Kryeqytetit, në bashkëpunim me njësitë tjera relevante, ka realizuar një operacion policor në Prishtinë, me ç’rast janë arrestuar tre persona të dyshuar për përfshirje në veprat penale: shit-blerje të paautorizuar të substancave narkotike, mbajtje në pronësi apo posedim të paautorizuar të armëve dhe manipulim me prova”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Sipas autoriteteve, operacioni është zhvilluar pas një pune hetimore dhe operative, përmes së cilës zyrtarët policorë kanë identifikuar dhe zbuluar personat e dyshuar për kryerjen e këtyre veprave penale.
Pas intervistimit dhe në koordinim me Prokurorin e Shtetit, dy nga personat e arrestuar janë dërguar në mbajtje.
Hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar.







