Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë operacioneve të zhvilluara në dy ditët e fundit në Rajonin e Mitrovicës së Jugut ka sekuestruar katër armë zjarri, municion dhe mjete të tjera të kundërligjshme.
Sipas njoftimit policor, aksionet janë ndërmarrë me qëllim të parandalimit të posedimit të paligjshëm të armëve dhe rritjes së sigurisë publike.
Gjatë kontrolleve dhe intervenimeve në raste të ndara, në zonën e përgjegjësisë së Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicën e Jugut janë gjetur dhe sekuestruar:
katër armë zjarri,
32 fishekë,
katër thika,
si dhe mjete të tjera të kundërligjshme.
Personat e dyshuar janë shoqëruar në stacionet policore, ndërsa në koordinim me prokurorin kompetent janë ndërmarrë veprime të mëtejshme ligjore.
Policia ka bërë të ditur se të gjitha armët, municioni dhe mjetet e sekuestruara janë trajtuar si prova materiale në kuadër të procedurave hetimore.




