Konsulenti politik, Xhevdet Pozhari ka deklaruar se ekziston mundësia që partitë opozitare të ndjekin një strategji bllokuese me synim largimin e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, nga pushteti.
Sipas Pozharit, një skenar i tillë është përmendur edhe nga ish-presidentja Vjosa Osmani dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
Ai ka thënë se, pavarësisht ofertave të mundshme nga Kurti për partitë opozitare, ato mund të mos i pranojnë ato për shkak të dallimeve në qasjet për qeverisje.
“Kam frikën se në opozitë mund të jetë duke u diskutuar një skemë për ta bllokuar qeverisjen e Kurtit dhe për ta shtyrë vendin drejt zgjedhjeve me një bllok opozitar, ndoshta edhe joformal. Kjo është lënë të kuptohet nga deklaratat e Vjosa Osmanit dhe Lumir Abdixhikut. Kam përshtypjen se, pavarësisht çfarëdo oferte që Kurti mund t’u bëjë partive opozitare, ato nuk do ta pranonin për shkak të dallimeve në qasjen e tyre për qeverisje. Mendoj se ky është një skenar që nuk është diskutuar sa duhet. Fillimisht u përmend nga Abdixhiku, kur tha se PDK-ja po kërkonte bashkëpunim, ndërsa më pas Osmani tha se jo vetëm PDK-ja, por kishte akterë nga të gjitha partitë që mendonin se Kurti nuk duhet të lejohet të qeverisë dhe se duhej parë mundësia e një bashkimi, edhe nëse kjo do ta çonte vendin në zgjedhje. Prandaj, edhe nëse Kurti tregohet më gjeneroz se herën e kaluar, nuk duhet përjashtuar mundësia që opozita të këmbëngulë në një rol bllokues me synimin për ta larguar atë nga pushteti”, ka deklaruar Pozhari në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1.
Ndërkohë, studiuesi i filozofisë politike, Latif Mustafa, ka vlerësuar se një bashkim i opozitës do të ishte i dëmshëm për vetë partitë opozitare.
Sipas tij, dallimet mes tyre dhe problemet e brendshme e bëjnë të vështirë një koalicion të tillë.
Ai ka shtuar se përfshirja e Listës Serbe në një ekuacion të tillë politik do të ndikonte në legjitimitetin e kryeministrit Kurti, duke e bërë këtë skenar edhe më të ndërlikuar.
“Opozita ka aq instinkt politik sa ta dijë se një bashkim i tillë do të ishte vetëshkatërrues dhe do të nënkuptonte fundin politik të saj. Veç në momentin kur në ekuacion futet Lista Serbe, kjo do të nënkuptonte legjitimimin e z. Kurti. Ata e dinë këtë dhe nuk besoj se do ta bëjnë. Partitë politike janë shumë heterogjene dhe nuk mund të bëhen bashkë. Për më tepër, ato kanë probleme edhe brenda vetë partive”, ka thënë Mustafa./teve1.info/








