Ish-nënkryetari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka deklaruar se Kosova duhet të shqyrtojë ndryshimin e Kushtetutës nëse ajo po pengon funksionimin normal të institucioneve dhe zhvillimin e shtetit.
Sipas tij, kur një shoqëri nuk arrin të ecë përpara për shkak të bllokadave kushtetuese, atëherë vihet në pikëpyetje ushtrimi i sovranitetit të saj.
Kryeziu ka theksuar se Kuvendi duhet të marrë vendime të pavarura për t’i hapur rrugë zgjidhjeve institucionale, duke shtuar se nuk beson se faktori ndërkombëtar do të pengonte një proces të tillë.
“Në momentin kur shihet që shoqëria ka ngecur dhe nuk po mund të zhvillohet, edhe nuk mund të ndryshohet Kushtetuta, atëherë humb ai sovraniteti ynë dhe bartet dikun tjetër. Ne jemi popull sovran, i kemi 100 deputetë shqiptarë dhe 20 të tjerë që janë pjesë integruese, kështu që ne duhet të marrim një vendim të pavarur për t’ia hapur vetes rrugën, në të cilën unë besoj që faktori ndërkombëtar nuk do të ndërhyjë”, ka deklaruar Kryeziu.
Ai ka kritikuar procedurat aktuale për ndryshimin e Kushtetutës, duke i cilësuar si tepër të vështira për shkak të kërkesës për shumicë të dyfishtë, ndërsa ka propozuar që një nga format për tejkalimin e bllokadës të jetë referendumi.
“Kushtetuta është ndërtuar mbi parimin e dy të tretave plus dy të tretat. Atëherë duhet të gjenden forma të tjera dhe një prej tyre mund të jetë referendumi. E kemi ligjin për referendum. Vetëm tetë ligje organike janë në të cilat nuk kemi të drejtë ta përdorim referendumin, ndërsa për të gjitha ligjet e tjera mund të përdoret. Pra, mund të bëhet edhe ndryshimi i Kushtetutës përmes referendumit”, ka shtuar ai.
Në fund, ai ka bërë thirrje për një diskutim të gjerë mbi ndryshimet kushtetuese, duke theksuar se Kushtetuta duhet të jetë në funksion të shtetit dhe qytetarëve, e jo të shndërrohet në pengesë për funksionimin e institucioneve.
“Ideja ime është që ne duhet të gjejmë zgjidhje. Ne kemi njerëz, kemi qenë 21 anëtarë të Komisionit për hartimin e Kushtetutës dhe duhet të bashkohemi. Nuk mundet një libër të mos të lejojë të zhvillohesh. Ai është një libër që e kanë bërë njerëzit dhe atë duhet ta ndryshojmë. Ndryshimet nuk mund të bëhen radikale, sepse i kemi disa parime, por ato duhet të jenë në funksion të funksionimit të shtetit dhe jo në funksion të bllokimit. Tekefundit, kur një Kushtetutë nuk të lejon të funksionosh, ajo duhet të ndryshohet”, ka përfunduar Kryeziu./teve1.info/




