Shukri Buja nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka mohuar pretendimet për një përplasje mes Përparim Grudës dhe Uran Ismailit lidhur me Ligjin për Gjykatën Speciale dhe garën për kryetar të ri të partisë.
Në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1, Buja ka deklaruar se nuk bëhet fjalë për një luftë mes dy personaliteteve, duke vlerësuar se Gruda është ende në fillimet e karrierës së tij politike dhe nuk mund të pretendojë aktualisht të marrë drejtimin e PDK-së.
Ai ka theksuar se pretendimet për përplasje mes Grudës dhe Ismailit lidhen edhe me çështjen e Ligjit për Gjykatën Speciale, i cili u kthye në Kuvend nga presidentja pas kërkesës së PDK-së.
“Së pari, nuk bëhet fjalë për një luftë mes dy personaliteteve, pasi një gjë e tillë nuk ekziston. Këtë e them me siguri të plotë, sepse Përparim Gruda është ende në fillimet e rrugëtimit të tij politik dhe nuk mund të pretendojë të ngjitet aq lart, sa të flitet publikisht për një garë mes tyre për të marrë drejtimin e partisë”, ka deklaruar Buja.
Buja ka thënë se nuk do ta mbështesë asnjë individ në garën për kryetar të partisë, pasi, sipas tij, deri më tani askush nuk ka dëshmuar se i posedon të gjitha atributet e nevojshme për të udhëhequr PDK-në.
“Unë nuk do ta përkrah asnjë individ, pasi deri më tani nuk është paraqitur ndonjë figurë që i ka të gjitha atributet e nevojshme për të qenë lider i partisë. Këtë e them pasi duke filluar nga periudha e Kadri Veselit e deri më sot është treguar që individi duhet të jetë tepër i fuqishëm. Është e pamundur që me personalitetet që kemi aktualisht të kemi një individ që i posedon të gjitha cilësitë e kërkuara për një lider, madje këto atribute nuk i ka pasur as vetë Hashim Thaçi. Në kohën kur Hashim Thaçi ka udhëhequr PDK-në, ekzistonin Kryesia dhe Këshilli Drejtues, të përcaktuara me statut, të cilat konsultoheshin vazhdimisht. Kemi debatuar shumë ashpër deri në arritjen e një vendimi. Asnjëherë nuk ka ndodhur që mbledhjet të thirren një ditë më parë apo pa rend dite. Tash është krejt ndryshe dhe kjo nuk ka të bëjë me ndonjë luftë mes individëve, sepse përveç dy emrave që po përmenden sot, janë edhe rreth 50 të tjerë, të cilët janë më të fuqishëm se ata, si individë dhe si grupe që kanë pretendimet e tyre”, ka shtuar ai.
Ai ka përmendur gjithashtu edhe ish-kryetarin e PDK-së, Enver Hoxhaj, si një nga emrat që ka shprehur më herët synimin për të kandiduar në konventën e ardhshme të partisë.
Sipas Bujës, gara për drejtimin e PDK-së nuk kufizohet vetëm te Uran Ismaili dhe Përparim Gruda, pasi në këtë proces ka edhe figura të tjera që synojnë të marrin drejtimin e partisë.
“Paramendojeni një person që ka pretenduar edhe më herët të bëhet kryetar i partisë, por që është tejkaluar për arsye statutare. E kam fjalën për Enver Hoxhajn, i cili nuk është ndalur në pretendimet e tij dhe ka deklaruar se do të kandidojë sërish në konventën e ardhshme. Prandaj, realisht, nuk bëhet fjalë vetëm për Uran Ismailin dhe Përparim Grudën, por edhe për Enver Hoxhajn, i cili e ka bërë publik synimin e tij, si dhe për të tjerë që mund të jenë pjesë e kësaj gare”, ka përfunduar Buja./teve1.info/










