Mbrojtësi i Kombëtares së Kosovës, Albian Hajdari ka gjasa që karrierën ta vazhdojë në Superligën e Turqisë.
Bëhet e ditur se kandidati presidencial i Fenerbahçes, Aziz Yildirim ka premtuar transferimin e Hajdarit nëse fiton zgjedhjet që mbahen më 7 qershor në klubin turk.
Thuhet se Yildirim po bëhet gati për ta kontaktuar zyrtarisht skuadrën e Hoffenheimit për Hajdarin, i cili vlerësohet lart të klubi gjerman.
Ai te Fenerbahçe po konsiderohet si një investim afatgjatë për repartin e mbrojtjes dhe tashmë po monitorohet nga afër.
Hajdari ka kontratë me Hoffenheimin deri në verën e vitit 2031 dhe kartoni i tij vlerësohet të paktën 20 milionë euro.
23-vjeçari në verën e shkuar u transferua tek Hoffenheimi nga Lugano dhe në sezonin e tij të parë në Bundesligë, Hajdari ka shënuar 1 gol dhe ka bërë 2 asistime në 30 paraqitje.
Ai gjithashtu ka edhe pesë paraqitje me Kombëtaren e Kosovës, ndërsa me “Dardanët” ka debutuar në muajin tetor të vitit të shkuar.








