Gjykata Supreme e Kosovës ka marrë vendim për shfuqizimin e pjesshëm të Rregullores së Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” që lidhet me procedurat e avancimit të personelit akademik.
Sipas njoftimit, Gjykata ka shpallur të paligjshëm nenin 18, paragrafi 7 të kësaj rregulloreje, i cili i jepte Senatit të Universitetit të drejtën të tërhiqte njohjen e publikimeve në revista apo botues të cilësuar si të dyshimtë, para vlerësimit përfundimtar të kandidatëve.
‘’Në arsyetimin e aktgjykimit, Gjykata Supreme thekson se nocionet “revista të dyshimta” dhe “botues të dyshimtë” nuk janë të përkufizuara qartë në legjislacionin në fuqi, ndërsa dispozita e kontestuar nuk përcakton kritere objektive, procedura vendimmarrëse apo mjete juridike mbrojtëse për kandidatët, duke krijuar hapësirë për arbitraritet administrativ’’, thuhet mes tjerash në njoftim.
Vendimi erdhi pas padisë së paraqitur nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ndaj Universitetit të Prishtinës në konflikt administrativ.
Gjykata vlerësoi se dispozita e kontestuar tejkalonte kompetencat e përcaktuara me Ligjin për Arsimin e Lartë dhe Statutin e Universitetit të Prishtinës, duke cenuar sigurinë juridike dhe pritshmëritë legjitime të kandidatëve në procedurat akademike.
Po ashtu, Supremja theksoi se vlerësimi i publikimeve shkencore duhet të bëhet bazuar në statusin e revistës në momentin e publikimit të punimit dhe jo mbi zhvillimet e mëvonshme.
Ndërkohë, pjesa tjetër e kërkesëpadisë është refuzuar si e pabazuar, pasi Gjykata ka vlerësuar se fusnota 16 e rregullores ka karakter vetëm shpjegues dhe jo normativ./teve1.info/







