Debati për doracakun e edukimit seksual dhe shëndetit riprodhues në Kosovë, i cili shpërtheu në nëntor të vitit 2024 dhe u shoqërua me reagime të shumta publike, çoi në vendimin e Ministrisë së Arsimit për rishikimin e tij. Megjithatë, deri më tani nuk ka informacione për ecurinë e këtij procesi.
Në nëntor 2024, kjo çështje u bë një nga temat më të diskutuara në vend, por debati publik u zhvillua kryesisht mbi interpretime të pjesshme dhe reagime të ndryshme, të përforcuara nga mediat dhe rrjetet sociale, e jo mbi përmbajtjen reale të dokumentit.
Nën presionin publik, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit njoftoi më 15 nëntor 2024 se do të rishikonte doracakët “Edukimi seksual dhe shëndeti riprodhues”, të miratuar fillimisht në vitin 2020, duke premtuar angazhimin e një komisioni me ekspertë të fushës.
Megjithatë, përkundër këtij premtimi, nuk ka transparencë mbi fazën në të cilën ndodhet rishikimi. RTK ka tentuar për rreth tri javë të marrë informacione nga Ministria e Arsimit, por pa përgjigje.
Njohësit e fushës vlerësojnë se rikthimi i doracakut mbetet i domosdoshëm për edukimin e hershëm të fëmijëve.
Ndërkohë, drejtori i organizatës SIT, Kadri Gashi, thekson se rikthimi i doracakut është bërë më i vështirë pas debatit të politizuar të vitit 2024, por mbetet i nevojshëm.
Presioni publik i asaj kohe çoi në tërheqjen dhe rishikimin e doracakut, por që nga ajo periudhë kjo çështje nuk është rikthyer në diskutim publik dhe mbetet pa zhvillime konkrete.







