Inspektorati Qendror i Punës ka publikuar të dhënat e fundit lidhur me aksionin e jashtëzakonshëm inspektues në sektorët me rrezikshmëri të lartë, që po zhvillohet në të gjithë territorin e Kosovës, në zbatim të vendimit të Ministrit të MPFVLÇ-së.
Raporti 48-orësh paraqet rezultatet e ditës së tetë të këtij aksioni, ku fokusi kryesor ka qenë sektori i ndërtimtarisë. Gjatë periudhës janë kryer 31 inspektime dhe 44 riinspektime, duke rezultuar me një numër të konsiderueshëm masash ndëshkuese dhe parandaluese ndaj subjekteve që nuk kanë respektuar legjislacionin.
Sipas raportit:
- Janë shqiptuar 13 masa ndalimi të punimeve.
- Në 12 raste është lejuar vazhdimi i aktivitetit pas përmbushjes së kushteve ligjore.
- Janë dhënë 10 vërejtje dhe në 12 raste nuk janë konstatuar shkelje.
- Numri i masave për eliminimin e parregullsive arrin në 28 raste.
Sa i përket shpërndarjes sipas komunave, Gjakova kryeson me 10 inspektime dhe 7 riinspektime, ndërsa Mitrovica ka regjistruar 7 inspektime, 9 riinspektime dhe 4 ndalime punimesh. Gjilani ka kryer 2 inspektime dhe 9 riinspektime, duke dhënë 4 leje për punim dhe 4 masa për eliminim të parregullsive. Në Lipjan janë evidentuar 5 masa për eliminim parregullsish, ndërsa në Drenas ky numër arrin 8 – më i larti ndër komunat e përfshira.
Autoritetet kanë paralajmëruar se aksionet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me qëllim të rritjes së disiplinës ligjore dhe parandalimit të shkeljeve në tregun e punës.







