Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, është shprehur i shqetësuar, siç ka thënë, për të ndryshuar traktatin e Bordit të Paqes.
Pak ditë pasi Komisioni për Punë të Jashtme formoi një grup punues për ndryshimin e një paragrafi të nenit 2 të ujdisë, Hoxhaj tha se shtetet duhet të jenë serioze për çka thonë dhe dakordohen jashtë vendit, ta zbatojnë atë brenda.
“Mënyra sesi ish presidentja në Davos, pa iniciuar një temë të tillë në qeveri, i ka dhënë mbështetje një projekti të tillë ka qenë një shkelje. Por jam më shumë i shqetësuar sesi tash shumica parlamentare po bën përpjekje për të bërë shkeljen e dytë për të ndryshuar traktatin e Bordit të Paqes. Politika e jashtme nuk është një platformë ku plotësohen dëshirat, as ku përplasen egot, por është një proces ku shtetet duhet të jenë serioze për çka thonë jashtë dhe zbatojnë brenda…. Ne nuk mundemi të nënshkruajmë diçka tjetër jashtë dhe të mbajmë qëndrim krejt tjetër brenda. Ftesa ime është që t’i jepni fund këtij cirku politik dhe të sillni projektligjin në Kuvend”, tha ai.
Atij i reagoi deputetja e LVV-së, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, e cila tha se mazhoranca nuk është kundër anëtarësimit në Bordin e Paqes, por ideja është që marrëveshja të jetë e harmonizuar me juridiksionin e Kosovës.
Sipas saj, një marrëveshje të tillë, përveç Shqipërisë, nuk e ka miratuar ende asnjë shtet tjetër.
“Për të ndryshuar një paragraf të një neni në projektligj për të cilin kemi konsideruar që të ketë ndërhyrje. Në parim askush nuk është kundër, e kam fjalën për të gjitha subjektet politike që përfaqësohen në komision dhe Kuvend. Dakordimi ka qenë i përbashkët që të formohet një grup punues ku ju zoti Hoxhaj jeni propozuar si përfaqësues i partive opozitare. Më vjen mirë pasi besoj se do të jepni kontributin profesional në hartimin e drejtë të këtij projektligji… Deri tani vetëm Shqipëria e ka ratifikuar këtë marrëveshje dhe askush tjetër, pasi ideja është që ligji të harmonizohet me juridiksionet e shteteve anëtare. S’ka asgjë për t’u shqetësuar dhe aq më pak për ta bërë të duket sikur ne e kundërshtojmë. Nuk jemi kundër, por jemi të interesuar që ai projektligj të jetë i harmonizuar dhe i rregulluar mirë”, tha ajo.







