Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka marrë vendim për kthimin në Serbi të mbi 110 tonëve ushqim për kafshë, pasi analizat laboratorike kanë zbuluar përmbajtje të aflatoksinës B1 mbi nivelin e lejuar.
Bëhet fjalë për 110 mijë e 50 kilogramë ushqim për kafshë, të importuar nga kompania N.P.T. Haxhijaha SH.P.K. nga Rahoveci, nga prodhuesi De Heus d.o.o. në Serbi.
Sipas njoftimit të AUV-së, mospërputhjet janë konstatuar gjatë kontrolleve dhe analizave laboratorike të kryera në laboratorin e kësaj agjencie, ndërsa rezultatet janë konfirmuar edhe nga AGES në Austri.
Në produktin “Koncentrat për lopë qumështore” është gjetur aflatoksina B1 në nivel prej 13 mikrogramësh për kilogram, që tejkalon kufirin e lejuar. Gjatë inspektimit është evidentuar edhe prania e mbetjeve të insekteve.
Aflatoksina B1 është substancë toksike e prodhuar nga disa lloje myqesh dhe mund të kontaminojë drithërat dhe ushqimin për kafshë. Ajo paraqet rrezik për shëndetin, pasi te lopët qumështore mund të shndërrohet në aflatoksinë M1 dhe të kalojë në qumështin që prodhojnë.
AUV ka bërë të ditur se do të vazhdojë kontrollet zyrtare dhe mbikëqyrjen e tregut, me qëllim parandalimin e qarkullimit të produkteve që nuk i përmbushin standardet e sigurisë.
Agjencia thekson se këto masa synojnë mbrojtjen e shëndetit të kafshëve, sigurinë e zinxhirit ushqimor dhe interesat e fermerëve dhe konsumatorëve.







