Në seancën e pesë marsit, u propozuan për pozitën e të parit të shtetit.
Glauk Konjufca dhe Fatmire Kollçaku ishin nominimet e Lëvizjes Vetëvendosje për këtë post.
Për të dy këta, u mblodhën nga 30 nënshkrime.
Por, a mund të qëndrojnë këta dy emra si propozimet e partisë së parë për president?
“Çdo kandidatë mund të tërhiqet, e drejtë e tij është me kandidua por e drejtë e tij është edhe mu tërheqë. Mirëpo kushtetuta e përcakton saktë se deputeti mund të ia japë një kandidati një nënshkrim. Por pas tërheqjes që këto nënshkrime “a janë djeg apo s’janë djegë” këtë nuk e ka përcaktua Kushtetua. Por tash po e them mendimin tim, kish me qenë normale që me tërheqjen e kandidatit ato nënshkrime të mos përdoren, sepse nëse lejohet kjo, çështja mund të prolongohet duke i dhënë nënshkrimet nga njëri te tjetri”, thotë juristi Hasan Shala.
E nga Instituti Demokratik i Kosovës, kanë treguar se çfarë ndodh nëse njeri nga kandidatët vendos të largohet nga gara?
“Në këto situata procedura nuk mundet me u vazhdu me një kandidatë për shkak që nuk e ka leju Gjykata Kushtetuese, pra ju i dini aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese patjetër kërkon që në çdo fazë të votimit, jo të nisjes së procedurës por të nisjes së procedurës së raundeve për votim të jenë së paku dy kundërkanidatë”, thotë Vullnet Bugaqku.
Bugaqku thotë se përdorja e nënshkrimeve të njëjta pas tërheqjes mund të bëhet vetëm në raste kur votimi për president nuk fillon si procedurë.
“Duhet me sqaqu se procedura e zgjedhjes së presidentit ende nuk ka filluar në fazën e votimit. Pra ende nuk ka fillu në fazën e votimit në atë mënyrë që me e ditë se a ka me pasë apo jo që dikush të tërhiqet apo të shtohet një kandidaturë e re, me qenë se ende nuk ka fillu procedura e votimit dhe jemi në nisje të procedurës për zgjedhjen e presidentit ku janë konstatu se ekzistojnë deri më tani vetëm dy kandidatura, unë mendoj që nuk ka asnjë pengesë formale juridike që ndonjëri nga këta të jep dorëheqje për garën për president”, shprehet ai.
E sipas ligjit, në tërësi mund të jenë deri në katër kandidatë për president.
Në këtë rast, te pashfrytëzuara janë edhe 60 nënshkrime të deputetëve, që mund të shfrytëzohen nga partitë opozitare.
Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese iu ka dhënë të drejtë deputetëve që deri më 28 prill të zgjedhin presidentin e ri të Republikës së Kosovës.
Nëse deri atëherë partitë politike nuk kanë një marrëveshje, vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme.






