Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka shpallur të papranueshme kërkesën e Presidentes Vjosa Osmani, e cila kishte kërkuar sqarime lidhur me emërimin e anëtarëve të Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Kërkesa e Osmanit kishte të bënte me situatën e krijuar pasi partia në pushtet, e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, kishte propozuar tre anëtarë për KQZ.
Sipas njoftimit të Gjykatës, kërkesa nuk i plotëson kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara me Kushtetutë, ligj dhe rregulloren e punës.
“Duke marrë parasysh që konflikti i kompetencave, në rrethanat e rastit konkret, është ngritur përkitazi me një kompetencë të Presidentes dhe e cila nuk është përcaktuar me Kushtetutë, por me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, Gjykata thekson se konflikti i kompetencave nuk është ngritur përkitazi me ‘kompetenca kushtetuese’ të Presidentes”, thuhet në vendim.
Gjykata ka sqaruar se, në këtë rast, nuk është plotësuar kriteri kushtetues për ngritjen e konfliktit të kompetencave ndërmjet institucioneve.
“Rrjedhimisht, Presidentja e Republikës, ndonëse është palë e autorizuar për të ngritur çështje të konfliktit të kompetencave kushtetuese, nuk ka ngritur para Gjykatës konflikt të ‘kompetencave kushtetuese’ dhe për pasojë, kërkesa shpallet e papranueshme”, thuhet më tej në vendim.
Presidentja Osmani kishte kërkuar nga Gjykata vlerësimin e një konflikti të mundshëm kompetencash, në rastet kur pranon më shumë propozime për anëtarë të KQZ-së nga grupet parlamentare sesa që parashihet me Kushtetutë.
Ajo kishte theksuar se një vlerësim i tillë është i domosdoshëm për mbrojtjen e rendit kushtetues dhe funksionimin demokratik të institucioneve në vend.




