Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar si të pabazuara kërkesat për kundërshtimin e provave dhe hedhjen poshtë të aktakuzës në rastin e njohur si “rezerva shtetërore”, ku e përfshirë është ish-ministrja Rozeta Hajdari.
“Gjykata Themelore Prishtinë – Departamenti Special, përmes Aktvendimit PS.nr.68/2025 të datës 13.03.2026, ka refuzuar si të pa bazuara kërkesat për kundërshtimin e provave dhe hedhjen e aktakuzës, të parashtruar nga mbrojtësit e të pandehurve, të ushtruara ndaj aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës”, ka thënë për tëvë1.info zëdhënësja e Gjykatës Mirlinda Gashi.
Në këtë rast, përveç Hajdarit, të akuzuar janë edhe Irfan Lipovica, Hafiz Gara dhe Ridvan Muharremi.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Rozeta Hajdari, në cilësinë e ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, së bashku me Irfan Lipovicën si zëvendëssekretar dhe Hafiz Garën si drejtor i Departamentit të Rezervave Shtetërore, dyshohet se kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik. Ata akuzohen se, duke shmangur procedurat konkurruese, kanë përdorur negocim për të lidhur kontratë me kompaninë turke “Yafe Turizm Insaat Sanayi ve Ticaret Anonim Sirketi”, me seli në Bursa, për furnizim me 10 mijë tonë grurë në vlerë prej 4,834,778 euro.
Aktakuza thekson se çmimi i kontraktuar për grurin ka qenë 193.48 euro më i lartë se mesatarja e tregut.
Po ashtu, të njëjtit persona akuzohen se kanë lidhur kontratë edhe me kompaninë “Xanto SP. ZO. O” nga Gdynia e Polonisë për furnizim me 200 mijë litra vaj dhe 120 mijë kilogramë sheqer. Megjithatë, sipas prokurorisë, pavarësisht pagesës së realizuar, mallrat nuk janë pranuar asnjëherë.
Në aktakuzë thuhet gjithashtu se Hajdari, Lipovica dhe Gara kanë zbuluar fshehtësi zyrtare duke i dhënë Ridvan Muharremit informacione për vendndodhjen e deponimit të grurit, që konsiderohej mall i rezervës shtetërore./teve1.info/







