Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka njoftuar se Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj saj lidhur me çështjen e kontraktimit të rezervave shtetërore.
Në një postim në Facebook, Hajdari ka theksuar se lajmin e ka marrë nga avokati i saj dhe ka shprehur krenarinë për punën e saj si ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë gjatë një periudhe të vështirë.
Ajo ka shtuar se ishte përgjegjëse për sigurimin e rezervës shtetërore të mallrave esenciale për jetesë gjatë muajve shkurt dhe mars të vitit 2022 ‘kur vendi ishte i pambrojtur’.
“Sapo u njoftova nga avokati im, për dorëzimin e aktakuzës nga Prokuroria Speciale në Gjykatën Themelore në Prishtinë, lidhur me çështjen e kontraktimit të rezervave shtetërore, proces ky tepër i rëndësishëm për të gjithë ne. Sapo ta kem pranuar të plotë dokumentin e aktakuzës do të deklarohem më gjerësisht për media. Unë ndihem krenare për punën që kam bërë si ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, në kohën më të vështirë – sigurimin e rezervës shtetërore të mallrave, me produktet esenciale për jetesë, në kohën kur ishim të pambrojtur, gjatë muajve shkurt dhe mars 2022”, ka shkruar ajo në Facebook.
Ndryshe, Hajdari, është intervistuar më 31 korrik nga Prokuroria Speciale e Kosovës, në cilësinë e të pandehurës, lidhur me dyshimet për keqpërdorime me rezervat shtetërore.
Zëdhënësja për komunikim e Prokurorisë Speciale, Arbnora Luta, konfirmoi se Hajdari është ftuar “me qëllim të konstatimit të plotë dhe të drejtë të gjendjes faktike, për të gjitha dyshimet që janë pjesë e hetimit të këtij rasti penal”.
Sipas saj, Hajdari ka shfrytëzuar të drejtën për t’u mbrojtur në heshtje, njësoj si në rastin e parë kur ishte ftuar për këtë çështje.
Pas intervistimit, Hajdari deklaroi për media se Prokuroria Speciale po e pyet për blerjen e rezervave shtetërore në shkurt dhe mars të vitit 2022.
Ajo, megjithatë, vuri në dyshim ligjshmërinë e procesit hetimor, duke pyetur se si Prokuroria kishte hyrë në MINT për të marrë dokumente të klasifikuara si “sekret shtetëror”.
“Asnjë person nuk mund të ketë qasje në rezervën e klasifikuar ‘sekret’ pa një procedurë të qartë ligjore, sipas udhëzimeve të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës dhe Agjencisë për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar”, tha Hajdari.
Ajo shtoi se Prokuroria Speciale ka bërë gabim kur ka dërguar në MINT dy hetues policorë “pa certifikatë sigurie”, të cilët “kanë marrë dokumentet brenda një ore në ministri”.
Sipas Hajdarit, Inspektorati Policor i Kosovës ka konstatuar në një raport informues se dy policët hetues kishin hyrë në ministri pa certifikatë sigurie të nivelit sekret.
Ky raport, siç tha ajo, është dërguar në Prokurorinë Speciale “për udhëzime dhe veprime të mëtejme ndaj dy policëve”, por prokurori i rastit, Valdet Gashi, i ka liruar ata nga përgjegjësia, gjë që sipas saj përbën “shkelje të ligjit nga vetë prokurori”.
“Këtë çështje MINT tashmë e ka adresuar në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit dhe pres që për këtë të përballem në gjykatë”, tha Hajdari.
Hajdari ishte intervistuar për të njëjtën çështje edhe në prill të vitit 2024, dhe edhe atëherë kishte zgjedhur të mbrohej në heshtje.
Në kuadër të këtij rasti, kryeministri në detyrë Albin Kurti është ftuar si dëshmitar, por deri më tani ka refuzuar të paraqitet në Prokurorinë Speciale, duke kërkuar që dëshminë ta japë në zyrat e Kryeministrisë.
Hetimet për rezervat shtetërore kanë nisur pas një serie bastisjesh në MINT në vitin 2023, pas publikimit të disa audio-incizimeve ku pretendohej se një sasi vaji e blerë në Poloni dhe një sasi gruri e blerë në Turqi nuk kishin arritur kurrë në Kosovë.
Po atë vit, në lidhje me rastin u arrestuan biznesmeni Ridvan Muharremi, drejtori i Divizionit për Rezervat Shtetërore të Mallrave, Hafiz Gara si dhe drejtori Departamentit për Integrim Evropian dhe Koordinim të Politikave, Irfan Lipovica.
Ndërkohë, Qeveria e Kosovës ka deklaruar se pagesat për rezervat shtetërore janë bërë në përputhje me ligjin.







