Kryetari aktual i Komunës së Suharekës nga AAK-ja dhe njëherësh kandidat për një mandat tjetër, Bali Muharremaj, ka ftuar të gjithë qytetarët e kësaj komune që të dalin në votime, pavarësisht përkatësisë partiake.
“Unë ftoj të gjithë qytetarët e Komunës së Suharekës, pa dallim partie politike, që të dalin e të votojnë, të vendosin për katër vitet e ardhshme për një komunë më të mirë, më të pastër dhe me zhvillim ekonomik. Jemi në demokraci, prandaj besoj se kjo do të jetë një ditë shumë e rëndësishme për të gjithë qytetarët, por edhe për mua personalisht,” ka thënë ai pas votimit.
Muharremaj ka shtuar se deri më tani procesi zgjedhor është zhvilluar në mënyrë të rregullt dhe se nuk është raportuar për asnjë problem, duke theksuar se çdo gjë po shkon mirë.







