Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka bërë thirrje që çdo vendim lidhur me urën kryesore mbi lumin Ibër të merret në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Karabinierët e KFOR-it kanë prezencë të përhershme në këtë urë.
“KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij të OKB-së për të siguruar një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme, duke përfshirë praninë e tij fikse në urën e Mitrovicës dhe patrullimet në zonat përreth. Çdo vendim në lidhje me urën e Mitrovicës duhet të merret në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, të cilin NATO vazhdon ta mbështesë, duke përfshirë edhe përpjekjet e KFOR-it. ”, ka thënë KFOR-i në një përgjigje për teve1.info.
Në paraditen e së premtes, asamblistët e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin komunal të Mitrovicës së Veriut, kanë kërkuar që të zbatohet një vendim i marrë vitin e kaluar për hapjen e urës së Ibrit.
Mirëpo, kryetari i Kuvendit komunal, Nexhad Uglanin, ka thënë se zbatimi i vendimit për çështje të urës u takon autoriteteve lokale.
“Ne e përkrahim çdo lëvizje, ura s’na duhet si simbolikë, por na duhet për bashkëjetesë mes komuniteteve”, ka thënë ai gjatë mbledhjes.
Nënkryetari i këtij Kuvendi komunal, Skënder Sadiku, ka thënë të premten se ura nuk është nën juridiksionin e Kuvendit komunal dhe as nuk ruhet nga ai, por nga karabinierët e KFOR-it.
Sipas tij, hapja e urës është edhe në juridiksionin e Komunës së Mitrovicës së Jugut, dhe të KFOR-it dhe se për këtë ka edhe marrëveshje të Brukselit.
“Fati në fatkeqësi është që kjo urë nuk varet vetëm nga ne, por kjo çështje është edhe e institucioneve të sigurisë. Ne, si Kuvend, kemi bërë pjesën tonë. Duhet të hapemi me njëri-tjetrin”, ka thënë mes tjerash Sadiku.
Vendimi për hapje të urës është marrë në prill të vitit 2023, por nuk janë marrë asnjëherë hapa drejt zbatimit të tij.