Kryetari aktual i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamza, është zyrtarizuar nga Partia Demokratike e Kosovës si kandidat për kryeministër në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, teksa nominimin e tij për këtë pozitë e bëri vet kreu i kësaj partie, Memli Krasniqi.
E një të ngjarë të tillë, ish – zëvendësministëri i Punëve të Brendshme, Selami Shkodra po e sheh si mungesë besimi në lidershipin e vet nga ana Krasniqit.
Shkodra ka thënë se është e çuditshme që një kryetar partie mos t’i prij skuadrës së vet.
“Hamza në të kaluarën ka qenë një ministër i Financave, një teknokrat i mirë, nuk e di cilat janë rezultat e tij me qeverisjen në Mitrovicën e Jugut, ka mbajt edhe pozita të rëndësishme siç ka qenë ajo e guvernatorit të BQK-së, nuk është përfol për ndonjë aferë korruptive, skandal apo keqpërdorim. Mendoj që është një prej figurave të respektueshme brenda PDK-së. Por për mua ka qenë e çuditshme se si vet kryetari i partisë mos me i pri skuadrës së vet. Siç duket një pjesë e kësaj partie është e pakënaqur me kryetarin e vet, madje as ai vet nuk po beson në lidershipin e vet”, u shpreh ai në emisionin “Këndi i Debatit” në TËVË 1.
Por, ndryshe mendon analisti, Arton Demhasaj. Ai ka thënë se kreu i PDK-së, Memli Krasniqi është figurë e konsumuar në parti, për shkak të disa posteve që ka mbajtur.
Andaj, Demhasaj, kandidimin e Hamzës e ka vlerësuar si pjekuri politike të Krasniqit.
“Mendoj se është pjekuri politike e liderit të partisë që mos me dalë vet me gjet një kandidat tjetër”, tha Demhasaj.
Ndërsa, analisti Visar Xani, ka thënë se kandidimi i Hamzës ka dhënë një efekt si një shembull i mirë i kryetarit të partisë.
Por, ai ka vlerësuar se kandidimi i tij nuk është premtues për fitoren e PDK-së.
“ Z. Hamza në opinion është një figurë shumë e pranueshme, nuk ka ndonjë aferë korruptive. Në anën tjetër një shembull i mirë i partisë. Kjo mbase mund të ketë një efekt, që po shihet se ka pasur një farë efekti pozitiv, por nuk është shumë premtuese, pasi z. Hamza me vështirësi e fitoi Mitrovicën dhe ka pakënaqësi edhe me qeverisjen”, tha ai. /teve1.info/