Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, në Pallatin Élysée në Paris. Në këtë takim është diskutuar për bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve, integrimin evropian të Kosovës dhe sigurinë në rajon.
Pas takimit, Kurti ka ndarë detaje nga biseda përmes një postimi në Facebook, ku ka vlerësuar marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Francës.
“Sot pata kënaqësinë e veçantë të takohem me Presidentin e Francës, Emmanuel Macron, në Pallatin Élysée”, ka shkruar Kurti.
Ai ka theksuar se Franca ka qenë përkrahëse e Kosovës që nga lufta për çlirim dhe pavarësi.
“Franca ka qenë aleate e fuqishme e Kosovës që nga lufta jonë për çlirim dhe pavarësi dhe mbetet partnere e afërt dhe e rëndësishme e vendit tonë”, ka deklaruar kryeministri.
Kurti ka bërë të ditur se një nga temat kryesore të diskutimit ka qenë rruga evropiane e Kosovës, me theks të veçantë te mbështetja e Francës për avancimin e vendit drejt Bashkimit Evropian.
“Biseduam për mundësi të reja bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Francës, për integrimin tonë euroatlantik dhe për sigurinë në rajon. Theksova rëndësinë e mbështetjes së Francës për marrjen e statusit të vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, ka shkruar ai.
Një tjetër çështje e trajtuar në takim ishte mbrojtja e fëmijëve nga rreziqet që vijnë si pasojë e përdorimit gjithnjë e më të madh të teknologjisë.
Kurti ka shprehur mbështetjen për nismën e presidentit Macron në këtë drejtim, duke theksuar se kjo temë ishte në qendër të Forumit të Paqes në Paris.
“Shpreha gjithashtu vlerësimin tim për nismën e Presidentit Macron për mbrojtjen e fëmijëve nga rreziqet që lidhen me përdorimin gjithnjë e më të madh të teknologjisë”, ka bërë të ditur Kurti.
Ai ka njoftuar gjithashtu se Kosova iu bashkua Deklaratës Politike të Samitit të Fëmijëve, e cila synon mbrojtjen e mirëqenies, të drejtave dhe të ardhmes së brezave të rinj.
Në përfundim, kryeministri ka theksuar rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve.
“Kosova dhe Franca do të vazhdojnë të punojnë së bashku për paqe, zhvillim ekonomik dhe një të ardhme të përbashkët evropiane”, ka përfunduar Kurti.




