Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka zhvilluar dy takime të ndara me Sekretarin e Shtetit për Ekonominë të Portugalisë, João Rui Ferreira, dhe drejtoreshën e Agjencisë Portugeze për Tregti dhe Investime, Ana Casaca, me qëllim të diskutimit të mundësive për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve.
Sipas njoftimit, takimet, të cilat për shkak të stuhisë në Lisbonë u zhvilluan online, u përqendruan në mundësitë e rritjes së shkëmbimeve tregtare, nxitjen e investimeve, zhvillimin industrial dhe promovimin e eksporteve.
Ministrja Kusari-Lila ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Portugalisë në proceset e integrimit evropian të Kosovës.
Vëmendje e veçantë i është kushtuar bashkëpunimit ndërmjet institucioneve përgjegjëse për tregti dhe investime, me synim krijimin e mundësive të reja për bizneset e të dy vendeve dhe lehtësimin e kontakteve ndërmjet tyre.
Gjatë takimeve është diskutuar edhe mundësia e arritjes së një marrëveshjeje dypalëshe ekonomike, organizimi i Forumit të Biznesit Kosovë-Portugali në Prishtinë, si dhe krijimi i një linje të drejtpërdrejtë ajrore ndërmjet dy vendeve, e cila do të lehtësonte lidhjet dhe bashkëpunimin ekonomik.
“Gjatë qëndrimit në Portugali, ministrja Kusari-Lila do të zhvillojë edhe takime të tjera në kuadër të pjesëmarrjes në Web Summit, me synimin për të thelluar partneritetin ndërmjet Kosovës dhe Portugalisë edhe në fushën e ekonomisë”, bëhet e ditur në fund të njoftimit./teve1.info/







