Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili ka reaguar pas djegies së dy zyrave në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Ajo ka thënë se kjo ka ndodhur një ditë pas dhënës së dëshmisë së ministres, Albulena Haxhiu lidhur me rastin e Astrit Deharit.
“Një ditë pas dhënies së dëshmisë së Ministres Haxhiu në Prokurori lidhur me rastin e të ndjerit Astrit Dehari, digjet Instituti i Mjekësisë Ligjore ku qëndrojnë (apo qëndronin) dëshmitë e këtij rasti. Dhe kjo: Pasi që ato dëshmi u vodhën e u kthyen, brenda mandatit të kësaj qeverie. Pasi që pas shumë vitesh që Haxhiu pretendonte se kush janë fajtorët, tani del si njeriu më i papërgjegjshëm i fjalës publike e pozitës së saj e deklaron se “pot a dija kush, do ta thoja para shumë vitesh”. Tash iu kujtua, domethënë, që nuk e di? Çka ndodhi Ministre? Amnezi?”, ka deklaruar ajo.
Tutje, ajo ka thënë se e gjithë kjo ngrit dyshime e frikë të një përfshirjeje tejet të rrezikshme të pushtetit në këtë rast.
“Kjo është e frikshme. Kjo ngrit dyshime e frikë të një përfshirjeje tejet të rrezikshme të pushtetit në këtë rast. Kjo që ndodhi është thënë më së buti katastrofë. Nuk di e nuk mund të kujtoj asgjë më skandaloze se një keqmenaxhim të tillë të Institutit që rikujtojmë: Operon në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë dhe operon me ushtrues detyre që sa kohë. Ky alarm nuk guxon të ndalet. Kjo nuk është Kosovë e demokracisë e sigurisë. Kjo Kosovë ndjell pasiguri të skajshme”, ka shkruar ajo në Facebook.