Shefi i Grupit Parlamentar të AAK’së, Besnik Tahiri ka thënë se me projekt-buxhetin për vitin 2024, Qeveria Kurti ka goditur shtyllat vitale të ekonomisë, duke e kthyer buxhetin në skema sociale.
Ai më tej, tha se Qeveria është duke i harxhuar paranë publike për qëllime elektorale.
“Sot, në Kuvend do të diskutohet Buxheti 2024. Me një lexim të kujdesshëm shihet qartë se me këtë dokument qeveria ka goditur shtyllat vitale të ekonomisë, e ka kthyer buxhetin në skema sociale, jo për të përmirësuar jetën e pensionistëve e as të punësuarve në institucione shtetërore, por duke e çkepur paranë publike për qëllime elektorale. Shpejt ju vie fundi edhe juve, ju shkuan 3 vjet e kryhet edhe viti 2024. Turp!”, ka shkruar ai në Facebook.
Ndryshe, Kuvendi i Kosovës sot do ta mbajë seancën e radhës plenare.
Në rendin e ditës do të jetë shqyrtimi i parë i Projektligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2024.
Kjo seancë pritet të nis nga ora 10:00.