Janë bërë më shumë se tri javë qëkur janë zgjedhur kryetarët e rinjë të katër komunave veriore. Por të njëjtit ende nuk e kanë bërë betimin e tyre, i cili parashihet të kryhet në një afat 30 ditor. Njohës të fushës vlerësojnë se në rast të shkeljes së këtij afati, Komisioni Qendoror i Zgjedhjeve obligohet të shpallë përsëri zgjedhje të jashtëzakonshme.
Me shpalljen kryetarëve të rinjë të komunave veriore pas zgjedhjeve të 23 prillit, të njëjtit po e presin edhe ceremoninë e inaugurimit.
Edhe pse ligji e parasheh që kjo ceremoni të bëhet brenda 30 ditëve pas çertifikimit të rezultateve të kandidatëve për kryetarë, ende nuk është përcaktuar zyrtarisht ndonjë datë.
Megjithatë, kryetari i zgjedhur i komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri thotë se i kanë bërë të gjitha përgaditjet.
Ndërkohë, shprehet optimist se ceremonia do të kryhet brenda afatit të caktuar.
“Duket se jemi gati dhe brenda afatit do të arrijmë edhe ta bëjmë betimin.Kemi pas edhe kontakte me email dhe telefonata edhe me Ministrinë e Pushtetit Lokal dhe së shpejti, me siguri së shpejti do të na konfirmohet edhe data kur do të mbahet séance. Në qoftë se jo, kalon afati i parë, është tjetri afat me një seancë të jashtëzakonshme që mund të kryhen këto procedura”, ka thënë Zeqiri.
Në anën tjetër, hulumtuesi i çështjeve të politikës në organizatën joqeveritare “Demokraci Plus”, Albert Krasniqi thotë se në rast se afati shtyhet, KQZ- ja obligohet të shpallë zgjedhje të jashtëzakonshme.
“Betimi duhet të mbahet 30 ditë pas certifikimit të zgjedhjeve. Në rast se nuk bëhet betimi Brenda afatit të paraparë, atëherë kryetarët të cilat kanë fituar këto zgjedhje e humbin mandatin dhe KQZ detyrohet të shpallë sërish zgjedhje të jashtëzakonshme. Nuk është e thënë që betimi të mbahet në kuvende komunale, ajo mund të bëhet kudo që ka kuorum të kuvendeve present”, ka thënë Krasniqi.
Ndërkohë, përmes një përgjigjje elektronike, Zëdhënësi i Qeverisë Përparim Kryeziu ka treguar se po punohet në këtë drejtim.
“Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal së shpejti do t’u dorëzojë komunave udhëzimet dhe do të fillojë me koordinimin e kuvendeve që të organizohen seancat konstituive dhe betimi i kryetarëve të zgjedhur në zgjedhjet e 23 prillit”, ka thwnw ai.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat e veriut të Kosovës janë zhvilluar më 23 prill të këtij viti, pas dorëheqjeve në nëntor të vitit 2022, të kryetarëve që vijnë nga Lista Serbe.
Kronika e realizuar nga gazetarja Valëza Sylejmani