Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj, pas konsultimeve me përfaqësues të forcave politike të përfaqësuara në Kuvend dhe Komisionarin Shtetëror të Zgjedhjeve, ka dekretuar sot datën 9 maj 2027 për mbajtjen e zgjedhjeve lokale.
Thirrjes për konsultim iu përgjigjën Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, Partia Socialdemokrate dhe Komisionari Shtetëror i Zgjedhjeve, ndërsa subjektet e tjera politike nuk morën pjesë.
Sipas Presidencës, Komisionari Shtetëror i Zgjedhjeve sugjeroi datën 9 maj, duke argumentuar se ajo ofron më shumë kohë për përgatitjen e masave zbatuese. Të njëjtën datë parapëlqeu edhe Partia Socialdemokrate.
Në njoftim theksohet se data e zgjedhur nuk lidhet me asnjë rezervë apo paragjykim për favorizimin e palëve të caktuara apo për ndikim në vullnetin e lirë të zgjedhësve.
Presidenti u ka bërë thirrje subjekteve politike të marrin pjesë në zgjedhje me alternativa, platforma dhe kandidatë, si dhe të garantojnë një proces të drejtë, konkurrues dhe në përputhje me standardet demokratike. /RTSH




