Më 18 nëntor u prit nga një pjesë e familjes së ngushtë në shtëpinë e tij në lagjen Velania të Prishtinës.
Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, për 4 ditë më radhë qëndroi Kosovë.
Krejt kjo pas një vizite të lejuar nga Dhomat e Specializuara për arsye humanitare, pasi bashkëshortja e tij është në gjendje të rënë shëndetësore.
Gjatë katër ditëve të qëndrimit, Krasniqi kaloi kohë pranë një pjesë të familjes, ndërsa lëvizjet e tij u përcollën nga pjesëtarët e EULEX-it dhe Policia e Kosovës.
Vizita përfundoi të shtunën, kur Krasniqi u largua nga Kosova për t’u kthyer në Hagë, atje ku Specialja e ka dënuar me 25 vjet burgim.
“Jakup Krasniqi u kthye në Hagë. Kjo ishte vizita e pesëmbëdhjetë nga një i paraburgosur në Kosovë deri më sot, e urdhëruar nga gjykatësit e Dhomave të Specializuara për arsye humanitare dhe e organizuar nga gjykata”, thuhet në njoftimin e Speciales.
Megjithatë, organizimi që bëri kjo gjykate, duke mos lejuar Jakup Krasniqin të takohet me vëllaun e tij, u kritikua nga familjarë, organizatat e dala nga lufta dhe shumë qytetarë të Kosovës.
Mohimi për të mos u takuar dy vëllezërit, u pa edhe si shkelje e të drejtave të njeriut, shkelje e ligjit për Familjen, si dhe ligje tjera.
Organizimin e kësaj vizite e ka komentuar edhe avokati Arbër Jashari.
“Protokolli i sigurisë i zbatuar me rastin e vizitës humanitare te z. Jakup Krasniqi lë vend për shqetësim dhe kritikë serioze, në aspektin e te drejtave dhe lirive te njeriut. Sa i pëkëtë moslejimit që të takohet më vëllaun, mendoj që ishte një vendim krejtësisht i paarsyeshem, që për rrjedhojë prodhojë një dramë njerëzore krejt të panevojshme”, shprehet Jashari.
Kjo ishte vizita e dytë e Krasniqit në Kosovë që nga transferimi i tij në Hagë, në nëntor të vitit 2020. Vizitën e parë e kishte realizuar në tetor të vitit 2024.






