Në nëntor të 2022, një person me emrin Sefer Goxhuli, ishte intervistuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë.
Mirëpo, i gjithë intervistimi nuk shkoi sipas rregullave.
Goxhuli u habit kur pa se hetuesit e ZPS-së po përdornin një dokument, i cili Kosovës i referohej si Kosova dhe Metohija.
Në atë moment, Goxhuli u këshillua nga avokati i tij që të mos reagoj.
Mirëpo, këtë e bëri më pas në një letër drejtuar avokatit të popullit të Dhomave të Specializuara, duke e shpjeguar detajisht gjithë ngjarjen.
“Ai në vijim parashtron se përdorimi i një etiketimi të tillë për të përshkruar Kosovën është i neveritshëm dhe ngre shqetësime për konceptin që ka ZPS-ja për shtetin dhe njerëzit që përfaqëson. Ai pretendon se përdorimi i termit ‘Kosovë dhe Metohi’ nga ZPS-ja bie ndesh me nenin 1 të Kushtetutës së Kosovës”, ka deklaruar ai.
Përdorimin e këtij termi, Zyra e Prokurorit të Specializuar e konsideron të paqëllimshëm, dhe në një përgjigje për Tëvë1, thonë se ky gabim nuk do të përsëritet më.
“Në raportin e tij, Avokati i Popullit u shpreh i bindur se kjo frazë ishte përdorur në mënyrë të paqëllimshme dhe si gabim nga ZPS gjatë intervistës me ankuesin. Ai e pranoi se përdorimi i kësaj fraze ishte padyshim fyese për ankuesin. Për më tepër, Avokati i Popullit u shpreh i kënaqur nga sqarimet e marra nga Prokurori i Specializuar, se ishin ndërmarrë masa të përshtatshme nga ZPS për të siguruar që një gabim i tillë të mos ndodhë më në të ardhmen”
Monitoruesit e proceseve gjyqësore në Hagë, gjithë këtë zhvillim e konsiderojnë të papranueshëm.
“Është shumë e papranueshme që një institucion që është Zyra e Prokurorit të Specializuar e themeluar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe i cili veprimtarinë dhe kompetencat e veta i ka të mbështetur në legjislacionin e Kosovës, përdor një term në dokumente zyrtare që bie ndesh me aktin juridik më të lartë të Republikës së Kosovës siç është Kushtetuta”, ka deklaruar Astrit Kolaj nga IKD.
“Një qasje e tillë shpërfaqë atë që e kemi thënë në vazhdimësi se prapa këtij procesi qëndrojnë autoritetet serbe e kjo dita ditës po dëshmohet, një term të tillë e përdorë vetëm Serbia dhe regjimi i saj aktual i cili natyrisht sa i përket Kosovës është vazhdimësi e regjimit paraprak…Duhet me kërku falje pavarësisht se e pranojnë se është një lëshim i tillë mirëpo në bindjen time është i papranueshëm”, tha avokati, Ardian Bajraktari.
Mbrojtja e të gjithë të akuzuarve që po gjykohen në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, në vazhdimësi kanë shprehur vërejtje për dokumentet të cilat i ka përdorur Prokuroria.