Agjencitë ruse të lajmeve raportuan komente të mëtejshme nga i dërguari amerikan Steve Witkoff, sipas të cilit është arritur pajtueshmëri për një raund të ri të bisedimeve trepalëshe mes Rusisë, Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara, ku pritet të marrin pjesë edhe përfaqësuesit evropianë.
Gjatë takimit në Kremlin, Kushner i tha Putinit se Uashingtoni kishte vërejtur atë që e cilësoi si “një ndryshim të madh” në qëndrimin e palës evropiane.
Ai shprehu bindjen se përfshirja e evropianëve në bisedimet për paqe nuk do ta pengonte përparimin e negociatave.
Nga ana e tij, Putin tha se Moska ka qenë gjithmonë e hapur për dialog me Bashkimin Evropian lidhur me Ukrainën, por la të kuptohet se mes palëve vazhdojnë të ekzistojnë dallime të thella.
“Sa i përket evropianëve, ne kurrë nuk kemi qenë kundër angazhimit në dialog me Evropën dhe kurrë nuk e kemi ndërprerë atë dialog. Ishin ata që e ndërprenë dialogun me Federatën Ruse”, tha ai, citon Reuters.
Presidenti rus paralajmëroi gjithashtu se ideja evropiane për dërgimin e trupave perëndimore në Ukrainë pas arritjes së një marrëveshjeje paqeje mund të çojë në rifillimin e luftës.
Sipas tij, Rusia do ta konsideronte praninë e këtyre trupave si kërcënim për sigurinë e saj.
“Ne do të donim shumë që ju, zotërinj, dhe administrata amerikane në tërësi, të punoni me aleatët tuaj evropianë në mënyrë që ata më në fund të vendosin se çfarë duan: paqe apo luftë në Ukrainë”, tha Putin./teve1.info/










