Për punën që bëjnë çdo ditë, u detyruan të dalin edhe në rrugë.
Janë këta punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës, që të enjten dolën për të protestuar para zyrave të menaxhmentit dhe Bordit të KEK-ut.
Krejt kjo me kërkesën për paga më të mira dhe trajtim më dinjitoz në punë.
Disa nga punëtorët, thonë se fundi i muajit po bëhet gjithnjë e më i vështirë për t’u përballuar.
“Për neve është shumë vështirë me dal këtu në shesh e me bo protestë në vitin 2026, me dal punëtori i korporates energjetike të Kosovës me protestu për ngritje të pagës për mu është mekat shumë i madh, edhe më vjen turp por po. Po është shumë e vështirë se ne jemi mbajtës të familjes e kem anëtarë të familjes smut, vet jom smut neve na duhen shumë pare për me arrit me mbulu fundin e muajit”, ka thënë një puntorë.
E një puëntor tjetër, thotë se kërkesat për paga më të larta janë bërë tash e dy vjet.
“Me këtë inflacion që është ardh sot është shumë vështirë, por kërkesat tona që 2 vjet janë, gjithmonë na kan mashtru me rritje simbolike 30-60 euro”, ka thënë punëtori tjetër.
“Vallah paga është e ulët për nivelin e punës sonë që bëhet atje. Jam 5 antarësh i kam dy vajza një djalë, zor me i majt me shkolla sene udhtime po ka telashe”, u shpreh poashtu edhe një punëtor..
Kjo protestë, u përkrah edhe nga Sindikata e Re e KEK-ut.
“Të gjitha do t’i arrijmë të bashkuar, pa bashkim nuk ka rezultate. Unë besoj fuqishëm, sot do t’iu drejtohemi ministres Artane Rizvanolli me kërkesë për takim. Nëse nuk ka takim, e tërë Kosova do të jetë në terr”, tha kryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut, Xhelal Jashari.
“Ne nuk jemi pse po iu jep paga të 13-ta sektorit publik, sepse edhe ata meritojnë, sepse edhe ata kanë inflacion. Po problemi është te punëtorët e korporatës energjetike të Kosovës, që vdesin duke punuar. Vetëm në vitin 2026 kemi 17 të vdekur, 4 aksidentalisht e 13 që ne dyshojmë që vdesin nga sëmundjet profesionale që i marrim gjatë procesit të punës”, u shpreh nënkryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut, Nexhat Llumnica.
Në këtë protestë, punëtorët patën mbështetjen edhe nga Sindikata e Administratës Publike.
“Sot nuk kam ardhur vetëm të shprehë solidaritet, kam ardhur për të ngritur zërin bashkë me ju, për punën tuaj, për sakrificën tuaj, padrejtësisë me të cilat përballeni çdo ditë ju”, ka kryetari i Sindikatës së Administratës Publike.
Në rast se nuk plotësohen kërkesat e tyre, protestuesit thonë se protesta e radhës është paralajmëruar të mbahet pas një jave, në të njëjtin vend dhe në të njëjtën orë.






