Nisja e gjykimit, duket se ia ndryshoi qëndrimin të akuzuarit për vrasje të rëndë, Festim Ramadanit.
Kur planifikohej të niste dëgjimi i dëshmitarëve, Ramadani ka vendosur që ta pranoj fajësinë për vrasjen e 81 vjeçarit, Sadri Sadriu, në një sallë dasmash në Ferizaj.
“Deklarohem fajtor për veprën që akuzohem”, u shpreh Ramadani
“Je i vetëdijshëm për pasojat, e bën në mënyrë vullnetare?, e pyeti gjyqtari.
Festim Ramadani: “Po e bëjë në mënyrë vullnetare”.
Pas pranimit të fajësisë, ish-polici i Kosovës kërkoi që në aktgjykimin që do të shpallet ndaj tij, të merren parasysh disa rrethana lehtësuese.
“Unë kam qenë polic për tetë vjet i kam shërby shtetit, e kam zbatu ligjin sepse nuk ka fakte juridikopenale… Unë kam qenë student i dalluar me notë mesatare 9.3, kam marrë mirënjohje nga ministri i atëhershëm Arsim Bajrami, kam qenë kryefamiljar jam kujdes për familjen time dhe familje tjera në Ferizaj”, u tha i akuzuari.
Kështu, Ramadani tha se pret që dënimi ndaj tij të mos jetë më i lartë se 15 vite burgim.
“Shpresoj që në saksionin penal gjyqtari do të merr parasysh rrethanat që kanë çuar deri te ky rast, duke marrë parsysh se babai i tyre ka qenë pedofil serik andaj propozoj një dënim mbi 10 dhe nën 15 vjet burgim ku e arsyeton edhe moshën e tij prej 89-vjeç”, tha ai.
Pranimi i fajësisë u mirëprit nga Prokurori i shtetit dhe avokati mbrojtës i familjes së të ndjerit Sadriu.
Megjithatë, prokurori Valdet Aliu kërkoi që përveç rrethanave lehtësuese, të zbatohen edhe rrethana rënduese.
“Vepra penale ka ndodhur në një aheng si dasëm e cila për një moment nga një gëzim i familjes është shndërruar në një tragjedi dhe e cila ka pasë dhe do të ketë ndikim në familjen e të dëmtuarve… Si rrethanë tjetër rënduese të merret parasysh fakti se i pandehuri në kohën e kryerjes së veprës penale ka qenë zyrtar policor dhe aktin e ka kryer duke përdorë armën zyrtare”, tha prokurori Aliu.
Me këtë u pajtua edhe mbrojtësi i familjes së viktimës, duke kërkuar dënim maksimal për Ramadanin.
“Andaj si përfaqësues i familjes së dëmtuar kërkojë që ky trup me rastin e marrjes së vendimit t’a merr një vendim të drejtë dhe ligjshëm konform dispozitave të Kodit Penal të cilat me siguri do të jetë i drejtë duke marrë parasysh një varg provash”, tha Shemsedin Pria –avokat i familjes së dëmtuar.
E kur fjalën e mori avokati i Ramadanit, Xhemail Ahmeti, tha se trupi gjykues kur të marrë vendimin, duhet ta ketë parasysh pranimin e fajësisë, si dhe vetdorëzimin.
“Rrethanat personale kur dihet arsyeja personale që pretendon se ka kryer veprën, mosha e tij, fakti se i njëjti është vetdorëzuar dhe ka qenë bashkëpunues si me orgsnet e ndjekjes ashtu me ato gjyqësore sa i përket këtij rasti dhe mbi të gjitha faktin se i njëjti nuk ka precedentë penal dhe deri te kryerja e veprës ka ardhë pas një pretendimi i cili konsiderohet se duhet marrë patjetër për bazë”, tha ai.
Për shkak të krijimit të rrethanave të reja, trupi gjykues vendosi që ta veçoj lëndën e të akuzuarit tjetër, Jeton Misini, ndaj të cilit rëndojnë akuzat për dhënien e ndihmës në kryerje të veprës penale.







