Numri i veturave me targa të huaja që po hynë në këtë parking është rritur ndjeshëm ditëve të fundit.
Kjo meqë mërgimtarëve u është mundësuar parkimi i veturave në hapësirat e dedikuara për punonjësit e Komunës së Mitrovicës.
Vendimin e ka mirëpritur Ilmi Rushiti, që ka disa ditë që ka ardhur nga Finlanda në Kosovë.
“Këtë e kemi mirëprit shumë, kjo është e mirë për ne se nuk qon peshë për një euro, dy apo tri për neve diçka, por është kjo shumë e mirë, faleminderit shumë për këtë respekt. Edhe disa shkolla i kishin bërë si parking për mërgimtarët kjo është shumë e mirë se pak qyteti i vogël e ngarkesë e madhe kjo është shumë e mirë”, shprehet Ilmi Rushiti – mërgimtar.
Përveç parkingjeve para dhe prapa objektit të komunës, në shfrytëzim mërgimtarët do t’i kenë pa pagesë edhe parkingjet në Palestrën “Minatori”, në Bibliotekën e Qytetit, në Muze, si dhe në disa shkolla.
“Mitrovica ka numër të madh të mërgatës e duke pasur parasysh se fluksi është goxha i madh gjatë verës, kryetari ka menduar që një një formë me liru pak trafikun po edhe në një formë tjetër me i jap hapësirë mërgimtarëve si shenjë respekti për kontributin e tyre të vazhdueshëm në Kosovë, të paktën një veprim simbolik të cilët do të i bëjë të vlerësuar. Nuk është ideja vetëm te kostoja financiare, por edhe largimi i kaosit të madh nëpër qendër të qytetit. Te gjitha këto parkingje të cilat janë afruar nga Komuna e Mitrovicës në dispozicion për mërgatën gjenden pikërisht në qendër të qytetit”, thotw Shkelzen Haliti nga Komuna e Mitrovicës.
Megjithatë, Shkëlqim Ibrahimi asamblist nga PDK-ja, thotë se kjo nuk është hera e parë që Komuna e Mitrovicës merr një vendim të tillë.
“Është vendim i mirë, është vendim tradicional që bëhet tash e disa vite edhe nga qeverisja paraprake kur ka qenë PDK-ja”, thotw ai.
Megjithatë, Ibrahimi thotë se këtë herë nuk e përkrahin plotësisht vendimin e kryetarit Faton Peci.
“Ne e kemi kundërshtuar, parimisht po them jo si vendim i gabuar, por si vendim populist vetëm çështjen e lirimit të hapësirave për gurbetqarët kur të vijnë ose mërgatën tonë të dashur te pjesa e parkingjeve institucionale që janë, sepse kjo mbetet vetëm çështje fjalësh ose propozim populist, pompoz sepse nuk ka hapësirë as për zyrtarët institucional të mjaftueshëm sesa edhe të lëshohet edhe për mërgatën tonë të dashur”, shprehet Ibrahimi.
Sikurse Mitrovica, edhe komuna e Podujevës dhe ajo e Fushë Kosovës kanë marrë vendim që të lëshojnë falas parkingjet e disa prej institucioneve publike gjatë verës.







