Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka kritikuar ndarjet buxhetore për komunat për vitin 2027, duke thënë se, pavarësisht rritjes së paraparë në letër, komunat po përballen me vështirësi të mëdha financiare.
Në emisionin “Info Nata” në Tëvë1, Ibrahimi ka deklaruar se shumë komuna, veçanërisht ato që janë qendra rajonale, po përballen me sfida të jashtëzakonshme financiare.
Ai ka marrë si shembull Komunën e Prizrenit, së cilës, sipas tij, vendimet gjyqësore i kanë marrë mbi 20 milionë euro, duke vështirësuar edhe më shumë gjendjen financiare të saj.
Ibrahimi ka paralajmëruar se disa komuna mund të përballen me vështirësi në kryerjen e pagesave për shërbimet publike, duke përmendur rastet kur bllokimi i xhirollogarive bankare ka pamundësuar pagesën e energjisë elektrike për disa shkolla dhe ambulanta.
“Në letër, rritja e buxhetit po duket shumë e mirë, por në realitet komunat kanë probleme. Mund ta pyesni cilindo kryetar, qoftë nga komunat e vogla apo të mesme, por sidomos nga ato që janë qendra rajonale, si Prishtina, Peja, Ferizaj, Prizreni e Gjakova. Të gjitha ballafaqohen me sfida të jashtëzakonshme. Prizrenit i janë marrë mbi 20 milionë euro si pasojë e vendimeve gjyqësore dhe, në fund të vitit, nuk do të ketë mjete financiare as për t’i paguar faturat e ndriçimit publik. Kjo ka ndodhur edhe para një muaji në disa komuna të Kosovës, të cilat, për shkak të bllokimit të xhirollogarive bankare, nuk kanë mundur t’i kryejnë pagesat e energjisë elektrike, duke bërë që disa shkolla dhe ambulanta të mbesin pa rrymë”, ka thënë Ibrahimi.
Ibrahimi ka kritikuar gjithashtu mungesën e komunikimit ndërmjet nivelit qendror dhe atij lokal.
Sipas tij, kryeministri Albin Kurti nuk ka zhvilluar takime me kryetarët e komunave për më shumë se dy vjet, pavarësisht kërkesave të Asociacionit për të diskutuar problemet me të cilat përballen komunat.
“Ka më shumë se dy vjet që kryeministri Kurti nuk i ka takuar kryetarët e komunave. Ia bëmë një kërkesë tash në fund të tetorit të takohemi dhe t’i bisedojmë këto probleme, por nuk ka kthim përgjigjeje”, ka deklaruar ai.
Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave ka folur edhe për shpenzimet e ulëta të investimeve kapitale në nivel qendror, duke vlerësuar se një pjesë e konsiderueshme e mjeteve të parapara për këtë kategori mund të mbeten të pashpenzuara deri në fund të vitit.
Sipas Ibrahimit, këto mjete mund t’u ndahen komunave për t’i ndihmuar në përballimin e krizës financiare.
“Më shumë se dy vjet kanë kaluar që nga takimi i fundit me iniciativën tonë, kur kemi kërkuar të diskutojmë për problemin e kontratës kolektive, pasi nuk ka gatishmëri nga niveli qendror. Nuk bëhet fjalë vetëm për vendosjen e një vije buxhetore, por për zgjidhjen e problemeve me të cilat përballen komunat. Këtë vit kemi parë se shpenzimet për investime kapitale, deri në fund të vitit, mund të arrijnë vetëm në 40 për qind. Nëse supozojmë se janë ndarë mbi 900 milionë euro për investime kapitale, atëherë mund të shpenzohen vetëm 360 deri në 400 milionë euro, ndërsa mbi 500 milionë euro do të mbeten të pashpenzuara. Këto mjete mund t’u jepen komunave dhe t’i shpëtojnë ato nga kriza”, ka përfunduar Ibrahimi./teve1.info/







