Tensione janë shënuar gjatë protestës së studentëve para Ministrisë së Arsimit në Tiranë, ku disa protestues u kanë vënë flakën koshave të mbeturinave.
Ngjarja është shoqëruar me zjarr dhe tym në zonën ku po mbahet protesta, ndërsa efektivët e policisë të pranishëm në terren nuk kanë ndërhyrë në ato momente.
Protesta, e organizuar nga studentët, ka nisur më herët, ndërsa pjesëmarrësit kanë bllokuar rrugën e Durrësit, në afërsi të Ministrisë së Arsimit.
Në vendngjarje janë angazhuar forca të shumta policore, të cilat përmes megafonëve u kanë bërë thirrje protestuesve që të lirojnë rrugën dhe të mos pengojnë qarkullimin e automjeteve.
Për mbarëvajtjen e tubimit dhe garantimin e rendit e sigurisë, Policia ka angazhuar rreth 700 efektivë.
Gjatë protestës, studentët kanë përcjellë edhe mesazhin “Ne nuk harrojmë”, duke vazhduar kundërshtimin e tyre përmes tubimit.









