Takimin e parë për këtë vit sy më sy e bënë në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Mirëpo, edhe këtu kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq shkëmbyen akuza për njëri tjetrin.
Në seancën e kërkuar nga Serbia për çështjen e dinarit serb pas hyrjes në fuqi të rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, kryeministri Kurti ka thënë se pretendimet që Kosova po kryen spastrim të serbëve përbëjnë propagandë të rrejshme dhe nxitje të tensioneve.
“Rregullorja sjell ligjshmëri të importit të parave në Kosovë në përputhje me Kushtetutën dhe politikën monetare të BE-së. Beogradi ka thirrur alarm jo për shkak të këmbimit të dinarit në euro, por për shkak se po ndalohen thasë me dinarë në kufij dhe ata ankohen jo për shkak të brengës për qytetarët serbë të Kosovës, por sepse ato tubacione të parave në veri të Kosovës po ndalen”, ka thënë Kurti.
Mirëpo, Vuçiq ka thënë se kjo rregullore është sulm ndaj qytetarëve serbë në Kosovë.
“Ky është sulm ndaj popullatës serbe dhe e bën situatën në Kosovë të vështirë. Prishtina po i pamundëson veprimet e të gjitha institucioneve shëndetësore, kulturore e arsimore që ofrojnë kushtet bazike. Çdo parandalim i financimit të spitaleve, shkollave e çerdheve të Serbisë është sulm i drejtpërdrejtë ndaj serbëve dhe ndaj themelimit të Asociacionit” deklaroi presidenti serb.
Duke mohuar pretendimin për spastrim të serbëve në Kosovë, Kurti ia ka kujtuar Vuciqit, trajtimin që bënë shteti serb ndaj shqiptarëve që jetojnë në Luginë të Preshevës.
“Qeveria serbe sistematikisht i ka hequr mbi 4 mijë e 200 shqiptarë etnikë nga regjistri civil në Medvegjë dhe mbi 2 mijë në Bujanoc. Kjo shlyerje e njerëzve ka pasoja të prekshme, viktimat nuk kanë qasje më në letërnjoftime, pasaporta, shërbime mjekësore, ndihmë sociale, transaksione pronësore, pensione dhe të drejta votimi, pra i bën ata të jenë pa shtet. Kjo fushatë është metodë e shpopullimit të shqiptarëve atje, ndërsa me krenari themi që e zbatojmë Kushtetutën me masat më të larta të mbrojtjes së të drejtave të pakicave, 20 ulëse të garantuara në Parlament nga 120 në total, prej të cilave 10 janë të serbëve veçanërisht. Serbët në Kosovë kanë, po ashtu, 10 nga 38 komunat në Kosovë. Gjuha serbe është gjithkund gjuhë zyrtare”, tha Kurti.
Përveç kësaj, ai ia përmendi Vuçiqit edhe sulmin e 24 shtatorit në Banjskë.
“Një rast i qartë ndodhi më 24 shtator të vitit të kaluar. Rreth 80 paramilitarë të mbështetur nga Serbia filluan një sulm të paprovokuar ndaj patrullës policore në Kosovë, duke rezultuar me vdekjen e policit Afrim Bunjaku dhe lëndimin e dy të tjerëve. Përkundër përpjekjes terroriste, duke përdorur edhe pelegrinët e pafajshëm si mburoja, policia jonë i ka shmangur këto viktima. Më 27 shtator, Serbia shpalli ditë zie për terroristët e vrarë nga policia e Kosovës dhe nga operacioni anti-terrorist. E vërejtët që sot, z. Vuçiq po rikujtonte disa serbë që janë lënduar apo plagosur në incidente të ndryshme, por nuk i përmendi tre serbët e vrarë. Pse nuk i përmendi këta? Sepse e di që ata kanë qenë terroristë të financuar, mbështetur dhe orkestruar nga ai vetë dhe mu për këtë tre serbët e vrarë nuk u përmendën fare”.
E para të gjithë të pranishmëve, Kurti e sfidoi Vuçiqin duke ia kërkuar aty nënshkrimin e marrëveshjeve të dakorduara në Bruksel dhe Ohër.
“Serbia refuzon dy obligime kyç – të mos e pengojë anëtarësimin ndërkombëtar të Kosovës dhe të mos e respektojë integritetin territorial. Nënshkrimi i marrëveshjes nuk është vetëm formalitet, është edhe garanci për implementimin e saj të plotë dhe të pakusht, edhe për paqen dhe sigurinë në Ballkan. Përkundër ofertave të mia të përsëritura, z. Vuçiq ka refuzuar të nënshkruajë, e ftoj të nënshkruajë këtu sot, menjëherë, duke theksuar rolin krucial të kartës së OKB-së në këtë marrëdhënie. Ky akt simbolik do të demonstronte përkushtimin e tij për marrëdhënie paqësore me Kosovën”, tha Kurti.
Këshilli i Sigurimit i OKB-së mban seanca të rregullta për situatën në Kosovë dy herë në vit, në prill dhe tetor.
Seanca e fundit është mbajtur më 23 tetor në vitin e kaluar.