Një sulm kibernetik ka ekspozuar informacione të paklasifikuara në një sistem analizash të përdorur nga Agjencia Qendrore e Inteligjencës (CIA) dhe Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare (ODNI), raportoi të martën gazeta The New York Times, duke cituar zyrtarë amerikanë dhe persona në dijeni të rastit.
Sipas burimeve, sulmi kishte në shënjestër një rrjet të inteligjencës me burime të hapura, i cili mbledh materiale publike, përmbajtje nga rrjetet sociale, imazhe satelitore dhe të dhëna të blera nga kompani private.
Edhe pse dokumentet e klasifikuara nuk u komprometuan, dyshohet se ndërhyrja ka ekspozuar informacione edhe në agjenci të tjera federale.
Deri më tani, hetuesit nuk kanë bërë të ditur se kush qëndron pas sulmit dhe as cilat të dhëna konkrete janë komprometuar.
CIA nuk pranoi të komentojë për gazetën, ndërsa ODNI, institucioni që mbikëqyr komunitetin amerikan të inteligjencës, nuk iu përgjigj menjëherë kërkesave për koment.
Ky incident vjen në një kohë kur institucionet federale amerikane janë përballur me një sërë sulmesh kibernetike dhe problemesh teknike. Javën e kaluar, Departamenti amerikan i Bujqësisë ndërpreu përkohësisht funksionimin e disa aplikacioneve të brendshme pas një incidenti të sigurisë kibernetike.
Ndërkohë, së fundmi ishte hakuar edhe Qendra Kombëtare e Informacionit për Krimet e FBI-së, një bazë të dhënash që përdoret në të gjithë SHBA-në për informacionet kriminale. Presidenti amerikan Donald Trump e cilësoi këtë zhvillim si “jo të mirë”.
Në një tjetër incident, rrjeti i klasifikuar i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare (NSA), institucionit amerikan përgjegjës për inteligjencën e sinjaleve, pësoi një ndërprerje disaditore për shkak të problemeve teknike, jo të një sulmi kibernetik.
Kjo ndodhi pas pezullimit të fluturimeve në shkallë kombëtare në fillim të këtij muaji, i cili u shkaktua nga mirëmbajtja e routerëve.










