Në hapje të fushatës së “16 Ditëve të Aktivizimit kundër dhunës me bazë gjinore”, Grupi i grave deputete ka organizuar Asamblenë e grave parlamentare dhe asambliste, me temën “Të sigurojmë drejtësi, të mbrojmë të mbijetuarat dhe t’i japim fund pandëshkueshmërisë”.
Zbardhja e plotë e vrasjes së Arlinda Zekës, përgjegjësia institucionale për dështimin në mbrojtjen e saj, si dhe luftimi i dhunës dhe gjuhës seksiste ndaj grave ishin ndër çështjet kryesore për të cilat foli kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, në hapjen e fushatës së “16 Ditëve të Aktivizimit kundër dhunës me bazë gjinore”.
Haxhiu tha se dhuna ndaj grave nuk mund të trajtohet si çështje private, pasi mbrojtja e tyre është përgjegjësi e shtetit.
Ajo përmendi rastin e Arlinda Zekës, e cila, sipas saj, kërkonte të kthehej në shtëpinë e saj, por siç tha Haxhiu, as vendimi i gjykatës dhe as prania e policisë nuk arritën ta mbronin.
“Për vite me radhë dhuna është fshehur pas arsyetimit se ajo që ndodh brenda familjes është çështje private. Mirëpo, dera e shtëpisë nuk mund të jetë edhe kufiri ku përfundon përgjegjësia e shtetit. Kur një grua përballet me dhunë, siguria dhe të drejtat e saj janë çështje e drejtësisë, por po ashtu janë çështje edhe e përgjegjësisë publike. Para pak javësh, Arlinda Zeka kërkonte të kthehej në shtëpinë e vet. Një kërkesë kaq të thjeshtë dhe kaq njerëzore, të cilën as vendimi i gjykatës e as prania apo prezenca e policisë nuk arritën ta mbronin. Kuvendi ka kërkuar zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj vrasjeje të rëndë, përfshirë veprimet dhe mosveprimet e institucioneve që kishin përgjegjësi për mbrojtjen e Arlindës. Është e domosdoshme të përcaktohet ku ka dështuar zinxhiri institucional i mbrojtjes dhe kush mban përgjegjësi për këto dështime”, tha Haxhiu.
Ajo theksoi se siguria e grave duhet të garantohet jo vetëm në shtëpi, por edhe në rrugë, transportin publik, vendet e punës dhe hapësirat publike, duke përfshirë edhe atë virtuale, ku gratë dhe vajzat përballen me kërcënime, ngacmime seksuale dhe poshtërime.
“Siguria e grave nuk përfundon te dera e shtëpisë. Ajo lidhet edhe me rrugët ku ecin, transportin që përdorin, vendet ku punojnë dhe hapësirat ku marrin pjesë në jetën publike. Sot, fatkeqësisht, edhe në hapësirën virtuale, shumë vajza dhe gra përballen me kërcënime, me ngacmime seksuale, por edhe me poshtërime. Dhe këtu bëhet veçanërisht i rëndësishëm bashkëpunimi ynë. Ndriçimi i rrugëve, transporti publik, siguria në hapësirat e përbashkëta, mbështetja për shërbimet sociale dhe strehimoret janë çështje ku komunat kanë përgjegjësi të drejtpërdrejtë. Prandaj, përvoja juaj si asambleiste është e pazëvendësueshme. Ju i njihni nga afër problemet e grave në komunitetet që ju i përfaqësoni… Këto probleme kërkojnë trajtim të vazhdueshëm institucional, andaj së fundmi kanë nisur takimin e Agjendës Parlamentare për çështjet e grave dhe barazisë gjinore 2027–2030. Kam vendosur që këtë proces ta filloj me asambleistet, me organizatat e grave përmes takimeve në 7 rajone të Kosovës dhe, sigurisht, që do të na bjerë që të takohemi sërish”, tha Haxhiu.
Kryetarja e Kuvendit foli edhe për trajtimin e grave në jetën publike dhe në politikë, duke thënë se ato vazhdojnë të përballen me fyerje dhe sulme që lidhen me pamjen, trupin, moshën dhe jetën private.
Ajo u zotua se gjatë drejtimit të Kuvendit nuk do të lejojë që gjuha seksiste të normalizohet në debatet parlamentare, pavarësisht përkatësisë partiake të deputetëve.
“Një çështje tjetër që lidhet drejtpërdrejt me pozitën e grave në shoqëri është mënyra se si trajtohen ato në jetën publike, përfshirë këtu edhe gratë në politikë. Gratë në politikë vazhdojnë të përballen me fyerje, sulme që kanë të bëjnë me pamjen, me trupin e tyre, me moshën apo me jetën e tyre private. Një burrë mund të kritikohet ashpër për qëndrimet e tij politike, ndërsa një grua, krahas qëndrimeve, shpesh i vihet në gjykim edhe e drejta për të qenë aty. Për sa kohë e drejtoj Kuvendin, nuk do të lejoj që gjuha seksiste të trajtohet si pjesë e zakonshme e debatit parlamentar. Le të më quajnë arrogante, le të më quajnë të ashpër, unë do të ndërhyj ndaj fyerjeve dhe poshtërimeve mbi baza gjinore pa dallim partie. Për të gjitha partitë politike do të vlejë njësoj. Gjithashtu, do të angazhohem që kodi etik të përcaktojë qartë përgjegjësinë dhe pasojat e sjelljeve të tilla. Do të dëshiroja që këtë standard ta forcojmë edhe në kuvendet komunale”, tha ajo.
Haxhiu shtoi se angazhimi për parandalimin e dhunës dhe mbrojtjen e të drejtave të grave duhet të vazhdojë në të gjitha nivelet institucionale, përfshirë edhe kuvendet komunale.








