3.89 i është vendosur nota Stacionit Policor të Malishevës.
Kjo pasi inspektimi i Inspektoratit Policor të Kosovës, nxori atë si të parin në nivel vendi sa i përket nivelit të përmbushjes së detyrave .
Në këtë raport të publikuar së fundmi, shihet se në shumicën e fushave të inspektimit, rezultatet janë të larta me 77.8 për qind të përmbushjes.
Komandanti i stacionit, Nazmi Zogaj thotë se është krenar me të arriturat e kolegëve të tij.
“Është një inspektim i kryer në një periudhë dy vjecare, dhe fushat që i kanë inspektuar, kriteret që i kanë përcaktuar në këto fusha ne i kemi plotësuar në masën të cilën ata e kanë vlerësu e cila ka qenë një anë pozitive e jonja dhe e kemi ndi një krenari për shkak se me të vërtetë jemi angazhu që t’i kryejmë detyrat në mënyrë sa më profesionale, por mbi të gjitha kjo është një motiv shtesë që ne me vazhdu në këtë drejtim prapë punën tonë”, deklaroi Nazmi Zogaj.
Ndër të gjeturat kryesore thuhet se është menaxhimi i kohës gjatë proceseve hetimore dhe përqindja e lartë e zbulueshmërisë së rasteve.
“Zyrtarët policorë, hetuesit e stacionit policor janë të angazhuar në maksimum t’i kryejnë punët sa më mirë dhe të identifikojnë kryerësit e veprave penale dhe t’i zvogëlojnë. Edhe kjo koha derisa mbahet rasti te ne është kohë shumë e shpejtë, brenda limiteve kohore që i përcakton edhe Kodi i Procedurës Penale, një vlerësim të tillë e kemi pasë edhe prej Prokurorisë Themelore në Gjakovë, kryesisht prej Kryeprokurorit i cili na ka përgëzu për angazhimet”, tha Zogaj.
Sipas autoritetit mbikqyrës, policët e Malishevës u treguan shumë efikas edhe në realizim të urdhëresave të lëshuar nga Gjykata.
“Në përgjithësi e kemi gjendjen mirë për shkak se identifikojmë këta persona. Një e metë e kësaj është se një pjesë e këtyre personave nuk jetojnë në Kosovë mirëpo përmes pikave kufitare, ne i lajmërojmë këto raste, i çojmë në pikëkalime kufitare dhe çdo herë në hyrje të tyre ata persona ndalohen dhe duhet t’i përgjigjen Gjykatës. Këtë e kisha kërku ehde prej të gjithë atyre që pranojnë ftesë prej Gjykatës duhet me iu përgjigjë sepse nuk mund t’iu largohen kërkesave të Gjykatës”, theksoi Zogaj.
Në nivel mesatar ende mbetet koha e reagimit në thirrje policore.
Por edhe për këtë pikë, komandanti i këtij stacioni policor, shprehet se do të punojnë për rezultate me të mira.
E si sfidë e përbashkët e të gjitha stacioneve policore mbeten pajisjet kolektive dhe kushtet logjistike.
Ndërkaq sipas raportit motivimi i zyrtarëve policorë në gjithë vendin mbetet të jetë shumë i lartë.
Kurse më efikasja në nivel të Drejtorive të Policisë së Kosovës, doli të jetë ajo e Gjakovës.



