Gjykata Speciale në Hagë ka konstatuar se janë kryer krime lufte në formën e arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ndaj së paku 385 personave, gjatë periudhës nga prilli 1998 deri në qershor 1999.
Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, tha se këta persona iu hoqën arbitrarisht liria nga anëtarë të UÇK-së në disa qendra ndalimi të kontrolluara nga UÇK-ja.
“Së paku 385 personave iu hoq arbitrarisht liria nga anëtarë të UÇK-së në disa qendra ndalimi të kontrolluara nga UÇK-ja”, ka deklaruar Smith.
Sipas tij, personat ishin arrestuar nga pjesëtarë të UÇK-së dhe policia ushtarake, nën dyshimet se ishin “kolaboracionistë, spiunë ose tradhtarë”. Megjithatë, trupi gjykues ka konstatuar se nuk kishte prova të besueshme që këta persona ishin të tillë.
“Trupi gjykues konstatoi se mënyra e qëllimshme me të cilën viktimat u ndaluan dhe u arrestuan, pa u dhënë arsye për ndalimin e tyre dhe duke iu mohuar çdo formë e gjykimit të rregullt, tregon se disa prej anëtarëve të përfshirë synonin arrestimin dhe ndalimin e tyre pa ndonjë arsye të vlefshme dhe në shpërfillje të çdo garancie mbrojtëse dhe forme të procesit të rregullt”, tha Smith.
Po ashtu, trupi gjykues ka konstatuar se 348 persona u trajtuan në mënyrë mizore, ndërsa 303 prej tyre u torturuan.
Sipas konstatimeve të trupit gjykues, ZPS-ja ka vërtetuar përtej dyshimit të arsyeshëm se janë kryer krime lufte të trajtimit mizor dhe torturës ndaj së paku 303 personave.




