Protesta kombëtare kundër vrasjes së grave do të vazhdojë sot, në orën 16:00, në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.
Organizatorët kanë njoftuar se qytetarët do të mblidhen sërish për të kërkuar drejtësi për Arlinda Zekajn dhe të gjitha gratë e vrara në Kosovë.
Përmes një njoftimi drejtuar mediave, ata kanë paralajmëruar vazhdimin e protestave dhe bllokimin e institucioneve deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.
“Sot, në orën 16:00, në sheshin Zahir Pajaziti, mblidhemi prapë për të kërkuar drejtësinë që Arlinda na e la amanet dhe drejtësi për të gjitha gratë e vrara”, thuhet në njoftimin e organizatorëve.
Ata kanë kërkuar llogaridhënie institucionale, duke u bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës.
“Edhe nesër do të dalim rrugëve e do t’i bllokojmë institucionet sepse është momenti i fundit që ky shtet të jap llogari. Dilni nga puna, nga shtëpia e nga klasa e na u bashkoni sërish. Do të vazhdojmë të protestojmë deri kur kërkesat tona të plotësohen”, thuhet në njoftim.
Organizatorët kanë bërë thirrje për organizim dhe solidarizim kombëtar, me qëllim rritjen e sigurisë së grave dhe kërkimin e drejtësisë për viktimat. “Kërkojmë organizim e solidarizim kombëtar. Për siguri e liri për gratë e gjalla, e drejtësi për gratë e vrara”, përfundon njoftimi.
Vazhdimi i protestës vjen pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, rast që ka nxitur reagime publike dhe kërkesa për hetimin e veprimeve të institucioneve përgjegjëse.
Zekaj, para se të vritej, kishte dorëzuar një parashtresë në Prokurorinë Themelore në Pejë, përmes së cilës kishte kërkuar ndërmarrjen e masave urgjente, duke ngritur shqetësime për sigurinë e saj.




