Fjolla Nikçi, magjistrja e arkitekturës nga Peja, është shqiptarja që realizoi interierin dhe dizajnin e kafenesë “Coffee Unique” në Bronxville të New Yorkut, e cila së fundmi mirëpriti yllin botëror Jennifer Lopez.
Një vizitë e një emri të madh të muzikës botërore në një kafene në New York ka vënë në pah edhe një tjetër histori suksesi shqiptarësh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Këngëtarja me famë botërore, Jennifer Lopez, ka vizituar kafenenë “Coffee Unique” në Bronxville të New Yorkut, e cila është në pronësi të vëllezërve shqiptarë Adrian dhe Arjan Kamberi.
Sipas pronarit Adrian Kamberi, Jennifer Lopez kishte dëgjuar më parë për këtë lokal dhe kishte shprehur dëshirën ta vizitonte gjatë qëndrimit të saj në New York. Ajo ishte e shoqëruar nga vajza e saj dhe pjesëtarë të stafit.
Kamberi ka treguar se këngëtarja kishte dëgjuar për kafenenë dhe kishte mbetur e impresionuar nga ambienti i saj.
Por, ajo që e bën këtë histori edhe më të veçantë për shqiptarët është fakti se pas pamjes dhe dizajnit të brendshëm të kësaj kafeneje qëndron një tjetër emër shqiptar.
Bëhet fjalë për Fjolla Nikçin nga Peja, magjistre e arkitekturës, e cila është marrë me interierin dhe dizajnimin e “Coffee Unique”, duke i dhënë lokalit identitetin dhe atmosferën e tij të veçantë.
Kështu, një kafene në zemër të New Yorkut, e cila ka tërhequr vëmendjen edhe të një ylli ndërkombëtar si Jennifer Lopez, mbart në vete edhe kreativitetin dhe punën profesionale të një arkitekteje shqiptare nga Kosova.
Historia e “Coffee Unique” është një tjetër dëshmi se talenti shqiptar po lë gjurmë edhe përtej kufijve të vendit, qoftë përmes sipërmarrjes, qoftë përmes arkitekturës dhe dizajnit.
Nga Peja në New York, Fjolla Nikçi është pjesë e një projekti që tashmë ka tërhequr vëmendjen edhe të Jennifer Lopez.







