Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fahrush Rexhepi, ka reaguar pas incidentit të ndodhur ndaj tij pas përfundimit të seancës së Kuvendit të Kosovës.
Rexhepi ka thënë se disa prej protestuesve janë përballur me të jashtë Kuvendit, duke e cilësuar ngjarjen si të papranueshme. Sipas tij, incidenti është veçanërisht i dhimbshëm duke pasur parasysh kontributin e familjes së tij në luftën e UÇK-së.
“Prandaj, ajo që ndodhi sot më dhemb. Jo vetëm për atë që më ndodhi mua, por sepse akte të tilla nuk i bëjnë nder as Kosovës, as sakrificës së popullit tonë dhe as vlerave për të cilat luftuam”, ka shkruar Rexhepi.
Deputeti ka bërë të ditur se disa persona të identifikuar pas incidentit kanë kërkuar takim me të për t’i kërkuar falje. Megjithatë, ai ka theksuar se kërkimfalja nuk e mbyll rastin.
“Rastin do ta procedoj tutje në organet kompetente të rendit dhe drejtësisë së Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Rexhepi.
Ai ka thënë gjithashtu se është identifikuar personi që e cilëson si “urdhërdhënësin e sulmit”.
Rexhepi në fund ka falënderuar qytetarët për mesazhet dhe mbështetjen pas incidentit.




