Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Albena Reshitaj, ka ngritur shqetësime për mënyrën se si institucionet po reagojnë ndaj rasteve të dhunës ndaj grave, pas vrasjes së Arlinda Zekajt.
Gjatë fjalës së saj në Kuvend, Reshitaj ka thënë se vrasja e Arlindës i ka tronditur të gjithë, por, sipas saj, edhe më shqetësuese janë provat që po dalin pas rastit, të cilat ngrenë pikëpyetje për reagimin e institucioneve ndaj kërkesave për ndihmë.
Ajo ka përmendur audioincizimet që, sipas saj, janë publikuar pas rastit, ku Arlinda dëgjohet duke kërkuar ndihmë nga një zyrtar policor, por përgjigjja që merr është se ai nuk është i obliguar të merret me të.
“Po publikohen audioincizime ku Arlinda dëgjohet duke iu lutur zyrtarit policor, por ai përgjigjet se nuk është i obliguar të merret me ty. Çfarë sigurie mund të ndiejë një grua që kërkon ndihmë nga shteti, nëse përgjigjja që merr është se askush nuk është i obliguar të merret me të?”, ka deklaruar Reshitaj.
Deputetja ka theksuar se miratimi i ligjeve dhe hartimi i strategjive nuk mjaftojnë nëse ato nuk zbatohen në praktikë dhe nëse gratë që kërkojnë mbrojtje nuk marrin ndihmën e nevojshme në kohën kur u duhet më së shumti.
Gjatë deklarimit të saj, Reshitaj ka rikujtuar edhe rastin e Hamide Gashit, e cila u vra në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), duke ngritur pyetje për përgjegjësinë e zyrtarëve që, sipas saj, kishin për detyrë ta mbronin.
Ajo ka kërkuar përgjigje nga institucionet për veprimet e ndërmarra në këto raste, duke vënë në pikëpyetje nëse mekanizmat aktualë të mbrojtjes po funksionojnë në mënyrë efektive.
“Nuk mjafton të miratojmë ligje e strategji kur një grua që kërkon mbrojtje nuk e merr atë në kohë dhe kur ka nevojë. Kërkoj që institucionet përgjegjëse të raportojnë për veprimet e ndërmarra në këto raste”, ka thënë Reshitaj.
Ajo ka bërë thirrje që institucionet përgjegjëse të japin llogari dhe të sqarojnë se çfarë masash janë ndërmarrë për të parandaluar raste të tilla dhe për të siguruar që gratë që raportojnë dhunën të marrin mbrojtjen e duhur.







