Përformanca e disa stacioneve policore në zbatimin e urdhëresave të gjykatës mbetet e ulët.
Kështu thuhet në një raport inspektimi nga Inspektorati Policor i Kosovës.
Aty vihet në pah se ka vonesa në ndërmarrje e veprimeve operative, mungesën e vazhdimësisë në përcjelljen e urdhëresave të pa ekzekutuara dhe nivelin e pamjaftueshëm të mbikëqyrjes.
”Gjithashtu, janë evidentuar dobësi në dokumentimin e veprimeve policore, përfshirë mungesën e raporteve të terrenit, përdorimin e shënimeve jozyrtare, raporte me përmbajtje të mangët dhe forma të ndryshme të raportimit ndërmjet stacioneve. Në disa raste, këto mangësi kanë vështirësuar verifikimin e veprimeve të ndërmarra dhe kohës sẽ realizimit të tyre”, thuhet në raportin e IPK-së.
Autoriteti mbikëqyrës i Policisë ka gjetur si problem tjetër edhe komunikimin jo të rregullt dhe jo efektiv me Gjykatat, ku janë konstatuar edhe mospërputhje mes dokumentacionit policor dhe evidencave gjyqësore.
Edhe ish-drejtori i Policisë, Reshat Maliqi, për këto gjetje thotë se janë të mirëpritura pasi kjo problematikë i ka shoqëruar ndër vite.
“Vonesa të tilla mund të shkaktojnë edhe probleme sepse disa prej personave të cilët kërkohen që të shkojnë në ekzekutimin e sanksioneve penale iu skadon edhe afati dhe nuk ka mundësi. Mandej në shumë raste janë paraqitë si përsëritës të veprave penale e që ma herët kanë qenë edhe të kërkuar dhe ka pasë urdhëresë për ekzekutimin e sanksionit penale i cili iu ka shqiptu me të”, vlerëson ai.
Kurse ish-hetuesi policor, tani avokat, Muhamet Mujaj vlerëson se është imediate të merren për bazë këto të gjetura.
“Do duhej çdo aktivitet lidhur me urdhëresat të evidentohej dhe njëfar forme të jepet përgjegjësi pse një urdhëresë realizohet e një tjetër të mos realizohet… E kemi parë edhe nga praktika se mosrealizimi i urdhëresave të Gjykatës ka shkaktuar pasoja të mëdha për qytetarët meqë ata që kanë pasë urdhërarreste janë recidivist zakonisht të veprave penale dhe vazhdojnë të kryejnë vepra të tjera si rezultat i mosarrestimit me kohë të këtyre personave”, thotë avokati.
Stacionet që iu nënshtruan këtij inspektimi ishin ai i Dragashit, Ferizajt, Graçanicës, Gjilanit, Hani i Elezit, Kamenicës, Kllokotit, Novo Bërdës, Parteshit, Ranillugut, Skënderajt, Vitisë e Vushtrrisë.
IPK u ka rekomanduar komandantëve të tyre që të forcohet mbikëqyrja dhe përgjegjësia menaxheriale për trajtimin e urdhëresave përmes kontrolleve periodike të dosjeve, identifikimit të urdhëresave pa veprime ose me vonesa dhe ndërmarrjes së masave korrigjuese ndaj mangësive të evidentuara.






