Në Serbi pas 12-viteve, ka rënë Aleksandar Vuçiq nga pushteti, derisa drejtimin e këtij shteti do të marrë Lista Studentore që i ka fituar zgjedhjet e organizuara të dielën e kaluar.
Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, vlerëson se ndryshimi i pushtetit në Serbi, nuk i ndryshon raportet me Kosovën.
“Nuk besoj se Serbia ka kapacitet që të demokratizohet. Në raport me Kosovën nuk pres asnjë ndryshim. Politike serbe në raport me Kosovën është e bashkuar për të keq”, ka deklaruar Burim Ramadani në emisionin “Infonata” në Tëvë1.
Ai mendon se vetëm kur NATO, ShBA dhe BE-ja kanë një gjuhë unifikuese për çështjen e Kosovës, Serbia do të ndryshojë qasjen ndaj Kosovës.
“Qëndrimi i Serbisë në raport me Kosovën ndryshon kur NATO, ShBA dhe BE-ja kanë një gjuhë unifikuese për çështjen e Kosovës”, theksoi Ramadani.
Tutje, Ramadani pohon se Kosova duhet ta shikojë të ardhmen e saj pa u brengosur për raportet me Serbinë.
“Ne duhet ta shohim vetëm rrugën tonë. Nuk duhet të mendojmë se çka ndodh në Serbi, por t’i shikojmë punët tona, pa u brengosur se kush fiton në Serbi”, potencoi Burim Ramadani.






