Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka kërkuar nga Gjykata Supreme që ta shqyrtojë me prioritet rastin që lidhet me Ndërmarrjen Publike Banesore (NPB), duke thënë se në këtë çështje janë të përfshira rreth 350 familje.
Rama, përmes një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se ka vizituar NPB-në, ku është takuar me menaxhmentin e ndërmarrjes dhe ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me pagat e punëtorëve.
Sipas tij, situata është krijuar si pasojë e një vendimi të marrë para fillimit të mandatit të tij, për të cilin ai pretendon se është i paligjshëm dhe se ka rrezikuar funksionimin e ndërmarrjes.
“Këtë çështje e kam adresuar në gjykatë që nga fillimi i qeverisjes sonë, sepse kam parë se vendimi dhe procesi janë të paligjshëm dhe e rrezikojnë ndërmarrjen, siç edhe ndodhi”, ka deklaruar Rama.
Ai ka thënë se gjatë viteve të fundit ka kërkuar që gjykatat ta mbrojnë pronën publike, ndërsa tani ka përsëritur kërkesën për një vendim nga Gjykata Supreme.
“Prandaj, kërkoj nga Gjykata Supreme që ta shqyrtojë këtë çështje me prioritet, sepse 350 familje kanë mbetur pa paga dhe po dëmtohen nga një proces i nisur në qeverisjen e kaluar në Kryeqytet”, ka shkruar Rama.
Ai ka theksuar se, sipas tij, problemi nuk është krijuar nga qeverisja aktuale, por se janë ndërmarrë veprime për ta ndalur atë.
“Ne nuk e kemi krijuar këtë problem. Kemi vepruar për ta ndalur. Tani kërkojmë vendim, mbrojtje të ndërmarrjes dhe llogaridhënie”, ka thënë Rama.




