Shkruan: Afrim Kasolli
Prej kur kanë filluar të relaksohen raportet e Albin Kurtit me SHBA-të, e të cilat e arritën kulmin me takimin e tij me Sekretarin e shtetit, shumë kush ka filluar ta kritikojë kryeministrin për këtë kthesë politike. Pra në një farë mënyre, ata që dikur e sulmonin Kurtin, që sa ishte në opozitë s’po e bënte këtë që po e bënë sot, tani e po kritikojnë se pse po e bënë këtë që nuk e bënte dikur. Sepse, për shumëkënd me qëndrimin e tij refuzues dhe kryeneç që ka mbajtur në të kaluarën, ka ndikuar që Kosova t’i humb disa vite kot brenda një rrethi vicioz. Kurse tani përsëri do të kthehemi në ato pozicione, që po të ishin pranuar me kohë, vetëm sa do t’i shmangnim vitet e humbura.
Liberalizimi i vizave, agjenda integruese e besa edhe ndonjë marrëveshje përfundimtare më Serbinë do t’i takonin tash historisë. Bllokimi i votimit të demarkacionit dhe rezistenca gati “paramilitare” ndaj tij si dhe Asociacionit, konsiderohen si dy arsyet kryesore të stagnimit të përgjithshëm politik, shtetëror dhe shoqëror. Ndërkohë, njëra në fund u votua, kurse tjetra sipas shumë analistëve vetëm sa ka vonim, por jo shpëtim.
Mirëpo, gjërat nuk janë kaq të thjeshta sa duken. E vërteta është se Kurti personalisht dhe ndjekësit e tij, deri më sot nuk kanë mundur ta bllokojë asnjë proces politik. Sepse kur ka qenë vetëm Kurti në ballë të kundërshtimeve, shteti i Kosovës kurrë nuk e ka pasur problem ta neutralizojë atë. Madje, edhe duke e arrestuar disa herë për aksionet e tij. Shkaktarët e këtij ngërçi të gjithanshëm duhet kërkuar dikun tjetër. Kurti vetëm sa e ka shfrytëzuar shansin për të përfituar politikisht dhe elektoralisht, nga terreni që ia krijuan të tjerët. Pra ai është një përfitues taktik nga këto zvarritje dhe shterpëzime, por jo gjeneratori kryesor i saj. Dhe nëse mund të kritikohet për diçka, atëherë kryeministri mund të kritikohet vetëm pse e shfrytëzoj këtë situatë për t’u ngritur politikisht.
Siç dihet, kriza e madhe në skenën politike filloi në vitin 2014, pas përfundimit të atyre zgjedhjeve parlamentare, zgjedhje këto të cilat i fitoi PDK-ja. Isa Mustafa për të shmangur presionet në parti që ia kërkonin dorëheqjen, për shkak të disfatës zgjedhore, e bëri një lëvizje taktike duke e shfrytëzuar egon e Ramush Haradinjat, për ta nominuar për kryeministër si dhe frustrimin e Fatmir Limajt me PDK-në, që ishte i etur për t’i mbajtur me çdo kusht larg tortës së pushtetit ish-bashkëpartiakët e tij, duke e ndërtuar një koalicion paszgjedhor.
Kësaj nisme më vonë iu bashkua edhe Lëvizja Vetëvendosje, për të bllokuar në çdo variant një rikthim të mundshëm të PDK-së në pushtet, si dhe po ashtu i frikësohej mbetjes eventuale bashkë me PDK-në në opozitë. Pra, siç shihet edhe në këtë rast Lëvizja Vetëvendosje fillimisht pat qëndruar anash duke e vëzhguar situatën. Por tek më vonë iu bashkua këtij besatimi ndër-partiak duke e formuar të ashtuquajturin bllok të VLAN-it. Ndarja e pozicioneve ndërmjet tyre më vonë u gjykua si antikushtetuese. Isa Mustafa nuk mund ta gëzonte pozitën e të parit të Kuvendit, sepse ajo pozitë i takonte partisë fituese të zgjedhjeve. Dhe zotimet e tyre për ta shmangur me çdo kusht bashkëqeverisjen me PDK-në, pas gjashtë muajsh, u shemben brenda natës si kullë prej letre. Karakteri komik i këtij betimi “trans-politik” ishte pasqyruar, më mirë se çdo kush tjetër, nga skeçi i njohur humoristik i Stupcave i titulluar “Blloku”. Dhe nga kjo marrëveshje e re ndërmjet LDK dhe PDK-së, Isa Mustafa u nominua për kryeministër, pozitë kjo që ia kishte premtuar Ramush Haradinajt.
Dhe nga ky moment skena politike hyri në një tension të provuar më parë. Humbësit u mobilizuan për t’ua helmuar triumfin fitimtarëve. Madje këtë e kishte paralajmëruar një eksponent i atëhershëm i Lëvizjes Vetëvendosje, kur deklaroi se “kemi me ia nxi jetën Isa Mustafës”. Albin Kurti e shfrytëzoi rastin ta sforconte narracionin e tij se PDK-ja e ka pushtetin interes jetik, sepse pa të e humbin lirinë, kurse këtë komoditet po ia ofronte Isa Mustafa. Efektet e kësaj retorike nuk është se ishin pa efekt në opinionin publik.
Në këtë atmosferë koalicioni qeveritar i nënshkroi dy marrëveshje, atë të Demarkacionit me Malin e ZI si dhe për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Këto marrëveshje i erdhën si dhuratë opozitës. Ajo nuk la mjet pa përdorur për ta penguar kalimin e tyre në Kuvend. Protestat masive në rrugë dhe sulmet brenda Kuvendit e karakterizuan “punën” e kësaj legjislature. Koalicioni qeveritar u bllokua në këto marrëveshje pavarësisht numrave që i kishte dhe kërkesave të bashkësisë ndërkombëtare se votimi veçanërisht i Demarkacionit ishte i lidhur me liberalizimin e vizave.
Mirëpo, duhet ta themi troç dhe hapur, se ajo marrëveshje nuk kaloi, jo pse e kundërshtoi Albin Kurti, por pse e kundërshtoi Ramush Haradinaj. Sepse institucionet e Kosovës nuk kishin guxim ta stoponin Ramushin, jo Albinin. Sa për të dytin ajo do të kishte kaluar 10 herë në Kuvendin e Kosovës. Kur i pari u bë kryeministër në një koalicion të ri qeveritar me PDK dhe NISM-ën, ajo u miratua pa telashe. Pra që tregon se Albini vetëm e ka shfrytëzuar rastin që në bashkëveprim me Ramush Haredinajn dhe Fatmir Limajn ta forcojë vetën “ushtarakisht” sepse jo që ka qenë në gjendje personalisht ai ta bllokoi, pa këta dy këtë proces.
Mirëpo, ky ndërrim i beftë i pozicionit të kryetarit të Aleancës ishte një dhuratë tjetër për Albinin. Me këtë rast ai vetëm sa e kultivoi edhe më tej kultin për veten e tij si i vetmi që nuk bënë kompromise me kauzat që i ndjek për hir të pushtetit. Dhe kështu rruga e tij drejt triumfit “përfundimtar” nuk kishte më të ndalur. Sepse në politikë shpeshherë është më me rëndësi perceptimi publik që krijohet për ty, se sa ai që je në të vërtetë. Dhe imazhi për Albinin, në këtë fazë, te një pjesë bukur e mirë e shoqërisë, ishte imazhi i idealistit të vetëm në skenën politike në vend. Prandaj, ora e historisë më nuk mund të kthehej pas.
Kur ai u bë kryeministër më nuk ishte i interesuar që të bëhej pjesë e të njëjtit proces negociator me ish-presidentin Thaci, të cilin e kishte luftuar gjatë gjithë karrierës së tij. Si pasojë e këtij rivaliteti që lidhej me dialogun që ishte planifikuar të zhvillohej në Uashington, ndodhi ajo që ndodhi. Ky tension rezultoi me rrëzimin e qeverisë Kurti I në kohë pandemie. Dhe votimin e qeverisë së drejtuar nga A.Hoti, që me vonë u kualifikua se ishte zgjedhur në mënyrë anti-kushtetuese nga Kuvendi i Kosovës. Albin Kurtit nuk i duhej diçka më shumë. Këtë mocion mosbesimi e argumentoi si të nxitur nga komplotet e brendshme dhe të jashtme me qëllim copëtimin e Kosovës, për përfitime personale të ish-liderëve. Pushteti nuk mund të justifikonte vetën. Në atë situatë të ankthit kolektiv dhe rrezikut ekzistencial, ky narracion dihet se çka prodhoi, një fitore masive.
Rrugëtimi i tij tregon se Albin Kurti nuk ka qenë gjendje që asnjëherë personalisht t’i stopoj proceset politike, pa mbështetjen e tjerëve. Përkundrazi, çdo kauzë që e ka proklamuar ka dështuar që ta jetësojë. Mirëpo, çuditërisht këto dështime të vazhdueshme në fund ia siguruan këtë sukses absolut. Sepse, oponentët e tij e diskredituan vetën në sytë e opinionit publik. E vetmja gjë për të cilën ai mund të kritikohet, është se pse kur të tjerët për shkak të rivaliteteve të tyre, e bllokuan shtetin, ai në fund nuk u tërhoq nga skena dhe t’u thoshte atyre, pasi ju jeni më heronj, më trima, më të mençur se unë, që përsëri po ua dorëzoj pushtetin, sepse ju e meritoni më shumë se sa unë ta qeverisini Kosovën. Gjë që, kush është në politikë vështirë se do ta bënte një gjë të tillë.
Përfundimisht, ai e ndoqi në mënyrë intuitive mesazhin e njohur poetik të Samuel Beckett, të cilin po e lëmë të pa përkthyer për ta transmetuar kuptimin autentik të tij “Ever tried. Ever failed. No matter. Try again. Fail again. Fail better”.
Mirëpo, sot Albin Kurti ndodhet para sprovës së tij më të madhe jetësore dhe politike. Sepse, në pyetje është suksesi dhe dështimi i tij “përfundimtar”. A do të dështojë ai ta ndal zbatimin e vendimit për themelimin e Asociacionit për ta ruajtur pushtetin, kauza e tij kryesore, duke kërkuar përsëri fajtorë kujdestar për këtë disfatë, apo do ta humb pushtetin për të mos e legalizuar me duart i tij këtë projekt të dyshimtë politik dhe ligjor, do të tregoje se cili do jetë fati i tij politik tash e tutje.
Opinioni përmban pikëpamjet e autorit dhe nuk prezanton qëndrimet editoriale të tëvë1.info